Përderisa Ukraina me Rusinë po hyjnë në muajin e tretë të luftimeve, bota me anë të teknologjisë dhe zhvillimit mediatik po njoftohet me çdo lëvizje që po merret atje nga të dyja palët.
Shkrimtarja ukrainase, Yevgenia Zavaliy e cila për disa vite është marrë me shkrimin e librave për fëmijë tani atë pasion e ka kthyer në një zhanër tjetër.
Qysh nga dita e parë e luftimeve, Zavaliy ka shkruar rreth sulmeve, vrasjeve, rrëmbimeve e torturave të shkaktuara nga Rusia drejt popullit ukrainas.
Krejt kjo filloi në mënyrë të rastësishme, pasi e njëjta nuk e nisi ciklin e shkrimeve për një qëllim paraprak. Kështu pohon edhe shkrimtarja në një intervistë me Insajderin.
“Nuk kisha një qëllim. Ditën e parë të luftës u trondita dhe po shkruaja në Facebook vetëm për të ndjerë se nuk jam vetëm, për të ndarë ndjenjat e mia me të tjerët. Dhe shumë njerëz më shkruanin dhe kërkuan të vazhdoj. I kam informuar edhe miqtë e mi që jetojnë në Odesa gjatë luftës”, tha Zavaliy për Insajderin.
Sipas saj kjo është një mënyrë e mirë për t’i treguar botes se sa të fortë janë ukrainasit dhe se sa të bashkuar po qëndrojnë në këto ditë të vështira për ta.
Që lufta e cila ishte pjesë e historisë së Ukrainës prej 8 vitesh do të “afrohej” kaq shumë tek të gjitha qytetet ishte e pabesueshme për shumë qytetarë ukrainas. Donbas, ishte qendra ku për aq vite kryheshin shumë krime e gjenocid.
“Gjatë gjithë kësaj kohe ne pamë se si ishte në Donbas, por shumë prej nesh nuk mund ta besonin, se do të merrnim bomba dhe raketa nga avionët, anijet, tanket dhe të gjitha llojet e armëve në rajonet tona”, tha ajo për Insajderin.
Zavaliy ka shkruar për luftën me Rusinë në rrjetin e saj social facebook duke përfshirë informacione nga miqtë ushtarë që ajo ka dhe duke i rrëfyer tek publiku. Gjithashtu ajo është duke shërbyer edhe si vullnetare në këto ditë lufte në shtetin e saj.
“Unë kam edhe shumë miq në ushtrinë tonë, pasi ndonjëherë jam duke ndihmuar si vullnetar, kështu që mund t’i pyes për fakte apo situatë”, shtoi ajo.
Nismën e saj Zavaliy e sheh si sfidë jo të lehtë pasi për të shpesh është edhe emocionalisht e vështirë të shkruhet për njerëz të vrarë papritmas dhe planet që ata dikur kishin thurur.
“Është emocionalisht shumë e vështirë të shkruash për këtë luftë, sepse shkruan për njerëz që u vranë papritmas, dhe ata kishin familje, fëmijë, plane. Dhe është e vështirë të shkruash për këtë, por si është të jetosh në kushte të tilla?”, u shpreh shkrimtarja nga Ukraina.
Përshkrimet e përjetimeve përgjatë ditëve të luftës
“Dita 39. Nuk kam qenë për të fjetur. Si mund të flesh pas lajmeve nga Buça? Një qytet i vogël në rajonin e Kievit, i cili u bë simbol i gjenocidit të ukrainasve, i pari në shekullin e 21-të dhe tjetri i kryer nga rusët”, kështu thuhet në një nga shkrimet e publikuara në rrjetin social nga shkrimtarja.
E lutja e saj po atë ditë ishte që askush të mos i flas për Rusinë, kulturën e tyre dhe gjuhën. Krejt kjo pas sulmit në Buça të Ukrainës.
“Kurrë, kurrë mos guxoni të më shkruani ose të thoni se rusët janë të mirë, se kultura ruse është e mrekullueshme, se gjuha ruse është e nevojshme. Atëherë do të lëndohem dhe do të më vjen keq që nuk keni qenë në Buçi dhe çfarë ju ka ndodhur nëse nuk jeni në gjendje të kuptoni se çfarë është gjenocidi dhe kush e shkakton atë”, shkroi Zavaliy.
Për Zavaliyan, tanimë ishte e çuditshme çdo dromcë nga realiteti i dikurshëm pasi tanimë rrethanat janë krejtësisht ndryshe.
Kështu ishte për të edhe kur në ditën e 45-të të luftimeve në oborrin e saj po lulëzonte një zymbyl, lule që donte ta vendoste në një vazo por përreth ishin mbledhur disa bletë që i kujtuan librin e saj i cili është në shtyp.
“Dje vura re se zymbyli që mbollëm pranë shtëpisë po lulëzon. Doja të prisja në një vazo, vura re që rreth çdo lule ka 5-6 bletë, mendova se bletët janë më të rëndësishme) libri im për bletët është diku në shtyp, në Kharkiv, do të doja të jetoja dhe të shihja të shtypur se si ka dalë”, shkroi Zavaliy në postim.
Sirenat që jehonin në tërë Ukrainën jo rrallë i shqetësonin banorët atje, pasi nga çasti në çast pritnin shpërthimet e radhës.
“Dita 34. Kur zgjoheni me dhimbje koke për shkak të sirenave të vazhdueshme të natës dhe një dite të vështirë përpara”, shkroi në ditën e 34-të të tensioneve autorja 38 vjeçare.
Media dhe politika në Ukrainë
Në një ‘bashkëpunim’ të ngushtë e sidomos në kohë krize, dalin të jenë mediat dhe politika. Kësisoj edhe në Ukrainë po vazhdon një sistem i njëjte ani pse mediat dhe politika në mes kanë edhe propagandën që me raste duket të shkaktojë edhe dëme.
Sipas shkrimtares Zavalyia, ndikimi i mediave është i madh, për të kuptuar situatën në qytetet e Ukrainws, por, në disa territore që janë pushtuar nga Rusia janë shkëputur lidhjet e internetit.
“Ndikimi i mediave sociale është shumë i madh në botën e sotme. Ne i përdorim ato tani për të gjetur më shumë informacion rreth ushtrisë dhe situatës në qytetet tona. Por në disa territore të pushtuara nuk ka internet dhe as lidhje celulare. Dhe shpesh nuk ka internet në strehimore, ku njerëzit janë ulur gjatë sulmeve, dhe më pas prindërit u lexojnë libra fëmijëve të tyre, vetëm për të ndjerë se bota është ende normale”, tha ajo për Insajderin.
Autorja e disa librave për fëmijë tha se jo shumë njerëz mund ta kuptojnë situatën politike si duhet dhe çështjen e luftës pa e përjetuar, ndërkaq Kosova dhe shtetasit e saj janë përballur me këto sfida.
“Vendi juaj është një nga shtetet evropiane, që kujton jetën gjatë luftës. Sepse shumë njerëz nuk mund ta kuptojnë se si është”, pohoi Zavaliy.
Vota e autores në kohën e zgjedhjeve nuk shkoi për Zelenskyn por ajo e vlerëson mundin e tij dhe tregon për konsensusin shoqëror të shtyrë nga lufta me Rusinë.
“Unë nuk votova për presidentin Zelensky, por tani ai përpiqet të bëjë më të mirën. Tani ekziston një konsensus në shoqërinë tonë – të mos kritikohet qeveria deri në fund të luftës. Por ne jemi një vend thellësisht demokratik, kështu që do të kërkojmë shumë pas luftës”, tha autorja.
Kujtojmë se sot ëtshë shënuar edhe Dita Botërore e Librit me një rezolutë të UNESCO-s, krejt kjo pasi u konsiderua se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.