Greva e punëtorëve në sektorin publik e nisur të enjten, po vazhdon edhe ditën e sotme. Në ditën e dytë grevistët kërkojnë nga Qeveria Kurti që të distancohet nga kërkesa e zv.sekretarit të Ministrisë së Financave, Enis Spahiut, që pastaj të ulen e të bisedojnë për gjetjen e një zgjidhje.
Greva e nisur me 25 gusht nuk kaloi e qetë ditën e parë, pasi nga ministria e Hekuran Muratit BSPK-së iu kërkua një listë me numrin e grevistëve, për tu ndaluar rrogën. Kjo situatë i ka irrituar edhe më shumë grevistët.
Kështu bëri të ditur në një prononcim për Gazetën Insajderi, anëtari i këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, Ali Sefaj.
I pyetur se a është tërhequr nga greva ndonjë shërbyes civil pas kërcënimit të qeverisë, Sefaj shoti se kjo situatë vetëm sa i ka forcuar më shumë grevistët dhe se janë të gatshëm për çdo ballafaqim.
“Po greva ka filluar mirë, përgjithësisht situata është nën kontroll. Jo grevistët nuk janë tërhequr pas kërcënimit vetëm se janë irrituar më shumë. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohem me secilën konsekuencë”.
“Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm që qeveria nuk mund të hyj deri në këtë nivel, mirëpo është mendimi i një zyrtar të caktuar i cili fatkeqësisht mbanë pozitë kaq të lartë e që duan ta tregojnë vetën para eprorëve të tyre e duke i vënë edhe në lajthitje”, tha Sefaj për Insajderin.
Ndonëse, nga kryeministrit Kurti ende nuk kanë marrë një ftesë për takim, për Insajderin Sefaj tha se pret nga Qeveria që së pari të distancohen nga fjalët e zv.sekretarit dhe pastaj të ulen e të bisedojnë.
“Jo akoma nuk kemi pas ftesë prej qeverisë jemi duke pritur që të reflektoj qeveria që të bisedojmë lidhur me kërkesat tona. Por, së pari presim të distancohen nga emaili i sekretarit dhe pastaj të ulemi të flasim dhe të shohim cilat janë kërkesat që mund të gjejnë zbatim tani për tani”, tha më tej Sefa.
Sefaj tregoj se komunikimi me zv.sekretarin e ministrisë së Financave janë ndërprerë tashmë, pasi janë sqaruar të gjitha çështjet ligjore, dhe lista e grevistëve nuk mund të kërkohet sipas Ligjit për Greva.
“Jo ne nuk kemi pasur komunikim më me sekretarin, për arsyeje se e kemi pa të panevojshme dhe i kemi sqaruar çështjet ligjore. Kërkimi i listave nuk kërkohet me ligjin për greva as nga udhëzimi administrative, ata e kanë keq lexuar ligjin, u janë referuar vetëm një neni por kanë harruar se kur ligjet kanë kolizion në mes neneve të caktuar, mbivendosen ose kanë përparësi nenet që ju referohen mbrojtës së grevistëve”, tha Sefaj për Insajderin.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës po kërkojnë nga Qeverisë së Kosovës ndarjen e nga 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./GazetaInsajderi/