Protesta që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme në Portland, të Oregonit, u bë e dhunshme, ndërsa aktivistët frikësohen se presidenca e zotit Trump do të cënojë të drejtat civile në SHBA. Organizatorët thanë se do të organizojnë tubime të tjera në ditët e ardhshme.
Qindra protestues marshuan darkën e së premtes në rrugët e qytetit Portland, duke bllokuar rrugët dhe përdorur bojë për mbishkrime.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese, pasi protestuesit hodhën objekte me zjarr ndaj policisë. Autoritetet thanë se gjatë protestës pati vandalizëm dhe sulme, megjithëse organizatorët kishin thënë se do të ishte një tubim paqësor.
Sipas një dëshmitari, policia në Oregon plagosi me armë në këmbë një protestues në orët e para të së shtunës. Në Los Angelos, policia njoftoi se arrestoi 185 persona, pasi bllokuan disa nga autostradat kryesore.
Mbrëmë në qytetin e Nju Jorkut, qindra njerëz u mblodhën në parkun Washington Square në “tubimin e dashurisë”. Ata mbartnin parulla kundër tij dhe thërrisnin “Donald Trump largohu” dhe “ai nuk është presidenti im”.
Në qendër të Manhatanit, demonstrues të tjerë u mblodhën pranë rezidencës së presidentit të zgjedhur, një apartment luksoz tripleks, i cili mbrohet tashmë nga një kordon kamionësh më rërë. Demonstruesit u mbajtën në distancë, një bllok më larg.
Qindra njerëz u mblodhën në një tubim anti-Trump në qytetin Miami, ku thërrisnin “jo Amerikës raciste”.
Demonstrata të tjera u mbajtën në Atlanta, Georgia, dhe në Universitetin Vanderbilt në Tennessee.
Në Philadelfia, rreth 100 studentë të Universitetit Temple marshuan drejt bashkisë për të shprehur shqetësimin e tyre se presidenti i zgjedhur Trump nuk do ta bashkojë vendin, por do ta përçajë atë.
Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, këto ditë janë shfaqur incidente racore në disa shkolla dhe universitete amerikane, ndër to edhe shfaqje publike të supremacistëve të bardhë.