Dita e Lirisë së Shtypit, LDK: Qeveria Kurti sulmoi e denigroi mediat për katër vite dhe tentoi ta hesht fjalën e lirë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dita e Lirisë së Shtypit, LDK: Qeveria Kurti sulmoi e denigroi mediat për katër vite dhe tentoi ta hesht fjalën e lirë

    Insajderi
    03 May 2025 - 11:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    LDK ka reaguar lidhur me Ditën e Lirisë së Shtypit, dhe pasi që Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Nga kjo parti, është deklaruar se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen Kosovën me rezultat shqetësues dhe se ky vit, është viti i dytë që radhazi Kosova pëson rënie në këtë indeks.

    ‘‘Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e gjen Kosovën me rezultat jashtëzakonisht shqetësues, sa i përket lirisë së medias- pushtetit të katërt. Kosova, sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij(RSF), ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit të saj, duke u renditur në pozitën e 99-të nga 180 vende të vlerësuara, më së keqi në gjithë rajonin, një tregues alarmant i përkeqësimit të mjedisit mediatik në vend. Viti 2025 është viti i dytë radhazi që Kosova pëson rënie në këtë indeks, nga vendi i 56-të në vitin 2023, në vendin e 75-të në vitin 2024, përderisa në këtë vit shënoi regresin më të madh, duke u ranguar në vendin e 99-të. Prandaj, raportet e tilla janë dëshmi e qartë e përkeqësimit sistematik të gjendjes së lirisë së medias’’, shkruhet në komunikatën e LDK-së.

    Nga LDK është vlerësuar se ky regres lidhet drejtpërdrejt me qasjen e qeverisë Kurti ndaj mediave, pushtet i cili ‘‘ka sulmuar gazetarët, denigruar mediat kritike si dhe tentuar të heshtin fjalën e lirë’’.

    ‘‘Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se ky regres, lidhet drejtpërdrejt me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj mediave, pasi për katër vite qeverisje, ky pushtet ka sulmuar gazetarët, denigruar mediat kritike si dhe tentuar të heshtin fjalën e lirë. Liria e mediave është gurthemeli i një demokracie funksionale; kur gazetarët censurohen ose frikësohen, qytetarët privohen nga e drejta për t’u informuar, ndërsa abuzimet e pushtetit mbeten në hije’’, është deklaruar nga LDK.

    Më tej, kjo parti ka thënë edhe se demokracia s’mund të mbijetojë aty ku mungon liria e shtypit dhe se, LDK do të vazhdojë të ngrejë zërin kundër çdo retorike përçarëse.

    ‘‘Demokracia nuk mund të mbijetojë aty ku mungon liria e shtypit, prandaj kjo rënie drastike në indeksin ndërkombëtar është alarm për gjendjen e demokracisë në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të ngrejë zërin kundër çdo retorike përçarëse apo veprimi arbitrar që cenon mediat e pavarura. Ne jemi të vendosur të veprojmë si gardianë të lirisë së shprehjes, do të punojmë shumë që në qeverisjen e ardhshme të ketë respekt të plotë për mediat e lira, institucione të pavarura dhe llogaridhënie demokratike’’, është shtuar në komunikatë.

    Në fund, LDK ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për përkushtimin e gazetarëve.  

    ‘‘LDK është mirënjohëse dhe falënderuese për përkushtimin e gazetarëve që edhe përkundër presioneve e kërcënimeve, vazhdojnë të palëkundur të mbajnë të informuar publikun, hulumtojnë dhe të thonë të vërtetën’’, përfundohet në komunikatë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark