Ditëlindja e Komandantit Adem Jashari – Jeta dhe sakrifica për liri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ditëlindja e Komandantit Adem Jashari – Jeta dhe sakrifica për liri

    Insajderi
    28 November 2022 - 10:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.

    Së bashku me të vëllanë e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore-ushtarake jugosllave e sulmuan shtëpinë e tyre në mars të vitit 1998, ku ai ra heroikisht së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij.

    Ky është rast unik në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandant Legjendar i UÇK-së”. Titullin “Hero i Kosovës” iu dha në vitin 2008.

    Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritësish të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy.

    Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë.

    Beteja e parë mes Adem Jasharit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991. Shtëpia e Jasharëve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharët me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë.

    Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998, por me trimërinë e tij e përballoi sulmin me sukses.

    Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish nga ushtria jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga fabrika e municionit aty në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tri ditë e dy net.

    Forcat policore filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotsjellës. Shumica e familjes së gjerë të Jasharëve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë disa anëtarë të familjes.

    Granatimet e vazhdueshme me orë të tëra ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

    Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, pati thënë se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve.

    Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë, përfshirë gra, pleq, fëmijë.

    Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark