
Hekurudha Prishtinë-Durrës u prezantua si sukseset më të mëdha të kombit shqiptar nga lideri kosovar, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama. Përballë kësaj, lidhjeve politike me Ramën më së shumti po ia “sheh hairin” djali i Valentina Leskajt, ish-deputetes së PS-së (partisë së kryeministrit shqiptar), Besnik Leskaj. Kompanisë së oligarkut shqiptar “ABKONS SH.P.K” dhe operatorit tjetër ekonomik “ILF Consulting Engineers Austria” iu është dhënë tenderi në vlerë prej mbi 1,6 milionë euro për fizibilitetin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Projekti i hekurudhës në total pritet të kushtojë 700 milionë euro.
Gazeta Insajderi
Këtë të mërkurë është shpallur fituesi i tenderit të hapur në korrik të këtij viti për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë. Mes 5 ofertave fituese është shpallur ajo e konzerciumit të operatorëve ekonomikë austriako- shqiptar “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K.”. ABKONS SH.P.K. është në pronësi të Besnik Leksajt, djalit të deputetes shqiptare, Valentina Leskajt.
Qëllimi i tenderit është kryerja e një studimi fizibiliteti të lidhjes së re hekurudhore Durrës-Prishtinë, ku kompanitë do të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, gjurmën ku do të kalojë përgjatë qyteteve, duke përfshirë planet për ndërtimin e urave, tuneleve, nën kalimeve apo mbikalimeve si dhe stacionet për pasagjerët përgjatë linjës së hekurudhës. Si dhe të bëjë të gjitha analizat mbi kostot e investimit, shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes.
Pjesë e studimit të fizibilitetit do të jetë edhe situata gjeologjike e terrenit ku do të shtrihet hekurudha raporti topografik dhe ndikimi mjedisor. Në relacionin e tenderit thuhet se projekti ka si prioritet krijimin e një infrastrukture moderne hekurudhore për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta drejt krijimit të tregut të përbashkët hekurudhor.
Konzerciumi i operatorëve ekonomikë ishte diskualifikuar bashkë me disa kompani të tjera për tenderin e realizimit të fizibilitetit të hekurudhës së kombit. Komisioni i Prokurimit Publik e skualifikonte konzerciumin prej operatorit ekonomik të oligarkut shqiptar dhe atë austriak, sepse kjo e fundit s’kishte paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2019 dhe 2020 por jo edhe ato të vitit 2021. Arsye tjetër për skualifikimin e këtij konserciumi ishte se ILF Consulting Engineers Austria GmbH dokumentin për sistemin e menaxhimit të cilësisë të skaduar.
Komisioni i Prokurimit Publik pas shqyrtimit të dokumentave për rastin vendosi se argumentat e përdorura për skualifikimin e këtij operatori nuk qëndrojnë dhe se autoriteti (Hekurudha Shqiptare) duhet të analizonte më në themel dokumentacionin e dorëzuar nga bashkimi i operatorëve, që përmbush kriteret ligjore.
Në përfundim, KPP vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i dy kompanive “ILF Consulting Engineers Austria” GmbH & “Abkons” SHPK dhe i kërkoi hekurudhës Shqiptare “të rivlersojë procedurën e prokurimit në zbatim të ligjit për prokurimin publik si dhe të njoftojë brenda 5 ditëve Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit”.
Brenda 5 ditëve të punës, në 14 Prill 2023 Hekurudha Shqiptare anuloi procesin e tenderimit.
Kush është oligarku shqiptar që ia “pa hairin” Edi Ramës?
Kompania e Besnik Leskajt ka fituar projekte madhore përgjatë qeverisjes së Edi Ramës. Porti i ri në Porto Romano, i cili do t’i kushtojë buxhetit të Shqipërisë rreth 410 milionë euro, do të ndërtohet nga një konsercium i kompanive, që përfshin edhe kompaninë e djalit të ish-deputetes shqiptare.
Kompania e djalit të Valentina Leskajt ishte favorizuar edhe për tenderin prej 11 milionë euro për hartimin e projektit teknik për Portin e Durrësit. Në vlerësim Teknik, sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, karshi kompanive ndërkombëtare, komisioni vlerësues e favorizoi firmën e ish-deputetes Socialiste. Ky tender, sipas këtyre raportimeve, u mbyll ende pa u hapur.
Oligarku shqiptar pati “futur hundët” edhe në tenderin për hartimin e Kadastrit të Ujërave në Kosovë më 2019-ën, mirëpo që oferta e tij pati rënë sepse s’i kishte plotësuar kriteret teknike dhe kishte bërë shkelje procedurale.
Nëna e oligarkut, Valentina Leskaj, shërbente si ministre e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverisjen e Fatos Nanos (2002-2004). Ajo figuron e anëtarësuar në Partinë Socialiste që nga 2002-a deri më 2017-ën.
Ajo më 2017, përgjatë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri shkonte në Vlorë (në vendlindjen e kryeminitrit aktual shqiptar) dhe e mbështeste Ramën. Ajo thoshte se Vlora është me fat që përfaqësohet nga Edi Rama.
“Miqtë e mi, dua t’ju kujtoj se katër vite më parë kam thënë se Vlorës i ka ardhur fati në derë, që të ketë deputet Edi Ramën, kryeministrin e vendit. Koha provoi të vërtetën, sepse sot kemi një Vlorë të re, kemi një Vlorë të bukur dhe do të kemi një Vlorë edhe më të bukur”, deklaronte atëherë ajo.
Përkundër dorëheqjes, Leskaj së fundmi e ka konfirmuar se vazhdon të mbajë kontakte me PS-në dhe Edi Ramën. /Insajderi.org/