Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka caktuar Visar Shehun si ushtrues detyre i shefit të Prokurimit. Shehu është djali i kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehu. Ky i fundit po ashtu pjesë e LDK’së, shkruan Insajderi.
Visar Shehu mori pozitën e re me 14 shkurt 2023.
Përzgjedhjen e Shehut në këtë pozitë e kanë konfirmuar nga zyra e kabinetit të Përparim Ramës për Gazetën Insajderi. Por, të njëjtit kanë mohuar të ketë pasur ndikim afërsia me partinë për këtë vendim.
“Me datë 14.02.2023 përmes vendimit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës bazuar në kompetencat e tij ligjore, z. Visar Shehu (zyrtar i lartë i prokurimit në Komunën e Prishtinës) është caktuar si U.d. Udhëheqës i Sektorit të Komunës së Prishtinës. Nuk bëhet fjalë për asnjë formë të ndikimit pasi që një veprim i tillë në rastin konkret është i pamundshëm për të ndodhur rrjedhimisht edhe i palogjishëm. Një gjë e tillë as që është kontestuar ndonjëherë që nga caktimi i z. Visar Shehu në këtë detyrë“, thuhet në përgjigje.
Nga kabineti i kryetarit Rama kanë thënë se Shehu i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me ligj për këtë pozitë.
“Caktimi i z. Visar Shehu i U.d. i pozitës në fjalë është bërë duke respektuar të gjitha procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi. Përzgjedhja e tij për të marrë përsipër këtë obligim shtesë në punën e tij konsiston në faktin që i njëjti ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara ligjore“, kanë thënë nga Komuna e Prishtinës.
Tutje, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se së shpejti do të hapet konkursi për këtë pozitë.
“Ish-Ushtruesit paraprak të kësaj pozite i ka skaduar mandati i përcaktuar ligjor dhe pozita si e tillë ka qenë e lirë dhe është dashur të mbulohet domosdoshmërisht. Përndryshe konkursi publik për këtë pozitë pritet të shpallet brenda një afati mjaft të shkurtër (sipas kufizimeve ligjore)“, thuhet në përgjigje.