Sadri Sadriu u vra më 16 gusht në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt. Për këtë rast, tashmë dy persona gjenden në paraburgim. Prokuroria tha se vrasja dyshohet të jetë kryer për motive të ulëta, ndërsa jozyrtarisht, u raportua se 89 vjeçari ishte bërë cak i të dyshuarit për shkak se para shumë vitesh kishte dhunuar motrat e mitura të tij.
Lidhur me vrasjen e babait të tij, ka reaguar djali Ilir Sadriu. Ai ka thënë se vrasja ndodhi pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë shenjë paraprake.
Sadriu tha se “dorasi dhe organizatorët kishin për synim përfitimin financiar dhe përpjekjen për të denigruar reputacionin e familjes Sadriu”.
Sipas tij vajza e dajës në vitin 2021 kishte bërë një denoncim në autoritetet e Serbisë në Preshevë por Prokuroria i kishte hedhur poshtë këto pretendime.
“Kjo përpjekje e dorasit, asistentit të tij dhe porositësve të këtij akti barbar, ndoshta edhe e sponsorizuar nga entitete të caktuara private dhe publike, filloi përmes një denoncimi të bërë nga T.M., vajza e dajës, më 8 dhjetor 2021, pranë autoriteteve të Serbisë në Preshevë. Pas hetimeve nga autoritetet relevante në Serbi, Prokuroria e lartë publike në Vrajë ka hedhur poshtë këto pretendime si të pabazuara.”
Sadriu thotë se vendimi i prokurorisë së Serbisë nuk ka arritur të ndalë presionin për përfitime financiare.
Ai shton se dyshimi i tij bazohet se “këto presione nuk përmbanin asnjë element emocional, që normalisht do të ishin të pranishme nëse pretendimet e tyre do të ishin të vërteta”, por sipas tij “ato kishin një natyrë pothuajse kontraktuale dhe teknike”.
Djali i të ndjerit ka thënë se është i bindur se nëse do ta pranonin kërkesën financiare “të grupit për mbylljen e cështjes kjo do të përbënte një pranim të heshtur të fajësisë dhe do të hapte rrugën për denigrimin e mëtejshëm të familjes Sadriu”.
“Refuzimi ynë për të lejuar çfarëdo përfitimi financiar, fatkeqësisht, nxiti një seri veprimesh të tjera nga pretendimet e sajuara, të cilat, përmes vëllezërve të tyre, dorasit F.R. dhe asistentit të tij J.M., rezultuan në ekzekutimin e babait tim.”
Ai tha se presin nga Policia, IPK, Prokuroria në Ferizaj dhe Gjykata që të përundojnë hetimet e plota dhe të sillen para drejtësisë dorasi dhe “ndihmësit” e tij.
“Të bindur në profesionalizmin dhe integritetin e Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor te Kosovës si dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe gjyqësorit, presim që pa humbur kohë të përfundojnë hetimet e plota, të pavarura dhe transparente, të cilat pa dyshim do të zbardhin të vërtetën dhe do të sjellin para drejtësisë jo vetëm dorasin dhe asistentin e tij, por edhe porositësit, ndihmësit dhe sponsorizuesit e këtij akti kriminal.”
Reagimi i plotë: