Dje u dha tenderi, sot filluan punimet| Përshpejtimi i procedurave dhe akuzat për favorizim, çka fshihet prapa tenderit 3 milionësh të Obiliqit për pishinën gjysmë olimpike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dje u dha tenderi, sot filluan punimet| Përshpejtimi i procedurave dhe akuzat për favorizim, çka fshihet prapa tenderit 3 milionësh të Obiliqit për pishinën gjysmë olimpike

    Insajderi
    03 June 2025 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Blenera Karaxha

    Komuna e Obiliqit së shpejti do të bëhet me pishinë. Për këtë qëllim është dhënë tenderi me vlerë afro 3 milionë euro. Gjatë dhënies së kontratës, është kërkuar që kompania fituese të merret me të gjitha fazat e projektit deri në dorëzim “me çelësa në dorë”. Megjithatë, kërkesat e vendosura nga komuna në dosjen e tenderit janë cilësuar si diskriminuese, sipas një ankese të paraqitur. Ndërkohë, Komuna e ka përshpejtuar procesin e dhënies së tenderit, duke u arsyetuar se ka “rreziqe nga jashtë”. Kontrata është dhënë dje, ndërsa punimet kanë nisur që sot.

    Gazeta Insajderi

    Të martën në Obiliq, është vendosur gurthemeli i pishinës gjysmë olimpike.

    Kreyetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi përmes rrjeteve sociale, tha se ky është një projekt që do t’i jep mundësi fëmijëve, të rinjve dhe sportistëve të zhvillojnë aftësitë e tyre të notit.

    Përderisa kryetari po ‘mburret’, tenderi për këtë pishinë u përcjell me parregullësi dhe ankesa.

    Kujt iu dha tenderi?

    Kuvendi Komunal i Obiliqit ka dhënë me 03.06.2026 kontratën për ndërtimin e e objektit “PISHINA GJYSMË-OLIMPIKE OBILIQ”.

    Kontrata ka vlerën 2,859,586.97.

    Kompania që doli fituese është ”VIA EGNATIA SH.P.K”.

    Në dosje thuhet se pishina duhet të ndërtohet duke përfshirë të gjitha fazat e ndërtimit deri në dorëzim “me çelësa në dorë”.

    Për realizimin e ndërtimit të “PISHINA GJYSMË-OLIMPIKE OBILIQ” parashihet të ndërmirren të gjitha aktivitetet ndërtimore duke përfshirë:

    • Punët e dheut dhe terrenit,
    • Punët e konstruksionit kryesor nga betonarmeja dhe metali,
    • Punët e instalimeve hidro-sanitare – ujësjellësi, kanalizimi dhe drenazhimi,
    • Punët e instalimeve elektrike – furnizimi me rrymë, sinjalizimi dhe ndricimi,
    • Punët e instalimeve makinerike – ngrohja dhe ventilimi,
    • Punët e instalimeve të pishinës – sistemi I filtrimit të ujit,
    • Punët e finalizimit sic janë fasada, dyshemeja, plafoni, zdrukthtaria etj.,
    • Punët e oborrit dhe peisazhit.

    Dyshimet për favorizim

    Një kompani tjetër e interesuar për të ofertuar në këtë tender, është ankuar se Komuna e Obiliqit ka vendosur kërkesa diskriminuese dhe favorizuese.

    “Autoriteti kontraktues te kerkesa nr 2 e dosjes se tenderit dhe njoftimit per kontrate ka kërkuar:

    “Kerkesa nr.2 Operatori Ekonomik duhet te posedoje mjete, stabilimetet dhe pajisjet teknike qe janë te domosdoshme për realizimin e projektit. Paisjet dhe mekanizimi i obligueshëm sipas tabelës në Aneksin 7 të DT. Verejtje OE është i obliguar që pajisjet e prezentuara në listën e pajisjeve ti ketë në vendpunishte të vet, brenda në Kosovë, ku Autoriteti Kontraktues, komisioni i vlerësimit, mund ta bëjë verifikimin e pajisjeve të prezantuara në listën e pajisjeve Nje Gjysemrimorkio speciale për izolim të objektëve me mas bituminoze viti min 2010. Kapaciteti:550. Kjo kerkese duhet te lagrohet nga dosja e tenderit dhe njoftimi per kontrate per faktin se nje kerkes e tille nuk ka te beje fare me aktivitetin e prokurimit. Kjo pajisje perdoret per bartjen e bitumit per shtrirjen e asfalltit ndersa ky aktivitet I prokurimit eshte Ndërtimi i Pishinës në Komunën e Obiligit dhe nuk kemi te bejm me ndertimin e rrugeve”, thuhet në ankesë.

    Ndërsa i kanë kujtuar komunës ligjin sipas secilit: Autoriteti kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik ose që diskriminon në dem ose në të mirë te një ose më shume operatoreve ekonomik.

    Në anën tjetër, Komuna ka refuzuar ankesën e kësaj kompanie duke mos e marrë parasysh.

    Por, përveç kësaj Obiliqi kërkoi edhe shkurtimin e afatit kohor për procedurën e prokurimit.

    Pse u dha tenderi në përshpejtim?

    Ndonëse tenderi është i ‘majm’ për nga shuma, Komuna e Obiliqit e dha në procedurë të përshpejtuar.

    Komuna bëri kërkesë që afati kohor të shkurtohet.

    Në arsyetim thuhet se kjo po bëhet për shkak të rreziqeve të jashtme si dhe shpenzimi i paraparë i buxhetit për vitin 2025.

    “Kërkohet nga zyra e prokurimit që të filloj proceduren me afat të përshpejtuar këtë aktivitet të prokurimit duke u bazuar në rrëziqet e jashtme të cilat mund të ndikojnë në lëndë si dhe shpenzimi i paraparë i buxhetit për vitin 2025.Zgjatja e mundshme e afatave kohore për të filluar egzekutimin e punëve duke u bazuar në afatet e gjatë rrëziqeve të jashtme nga organet mbikqyrëse për vonesen e lidhjes së kontrates”, thuhet në kërkesë.

    A shkeli Komuna ligjin kur shkurtoi afatin?

    Komuna me tenderin 3 milionësh ka ngritur dyshimet për shkelje të ligjit.

    Sipas ligjit kontratat e mëdha duhet të kenë afat minimal 40-ditor për pranimin e ofertave dhe afati kohor i caktuar nga autoriteti kontraktues për pranimin e tenderëve, ose kërkesave për pjesëmarrje duhet të jetë i mjaftueshëm për t’iu dhënë operatorëve të interesuar ekonomik, kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe dorëzuar dokumentet në fjalë.

    Neni 44 Rregullat e Përgjithshme për Caktimin e Afateve Kohore për pranimin e Tenderëve ose Kërkesave për Pjesëmarrje Gjatë një prokurimi që zbaton procedurën e hapur, autoriteti kontraktues do të caktojë një afat kohor për pranimin e tenderëve që është:

    “Kur kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se dyzet (40) ditë; dhe Kur kontrata përkatëse nuk është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se njëzet (20) ditë”, thuhet në ligj./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark