
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të mbajë seancë urgjente ndërsa pika e vetme që do të diskutohet është agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Gjatë ditës së nesërme, para votimit të propozimit për aktivizimin e nenit 8, pritet që fjalim të mbajnë deputetët.
Në mesin e tyre do të jetë edhe Aleksandar Nikolloski nga OBRM-PDUKM, i cili për “Fokus” tha se pritet të miratohet një qëndrim i përbashkët, i cili do të kërkojë aktivizimin e nenit 8 të Statutit të Këshillit të Evropës, sipas të cilit, nëse Rusia nuk tërhiqet nga anëtarësimi, do të përjashtohet.
“Përjashtimi i Rusisë është një goditje e madhe për të dhe një mesazh i fortë për vendet e tjera anëtare se agresioni ushtarak është gjëja më e keqe që një vend mund të bëjë. Asnjë justifikim dhe arsyetim nuk mund ta justifikojë luftën”, thotë Nikolloski.
Ai shtoi se Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949 në rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të mundësohet bashkëpunimi dhe respektimi themelor i të drejtave njerëzore, gjuhësore dhe të pakicave në kontinentin evropian dhe të mos përsëritet vuajtjet e luftës.
Fjalim në Asamblenë Parlamentare priten të kenë edhe Darko Kaevski nga LSDM dhe Arta Bilalli-Zendeli nga BDI.