Për vetëm dhjetë ditë sa ka zgjatur festivali DokuFest në muajin gusht të vitit të kaluar, të hyrat tatimore në qytetin e Prizrenit janë rritur për 44 për qind krahasuar me muajin paraprak të po atij viti.
Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga Instituti GAP në bashkëpunim me përfaqësues të DokuFest-it, të cilët dhanë pasqyre rreth ndikimit ekonomik të festivalit më të njohur në vend.
Agron Demi nga Instituti GAP thotë se ky festival nuk shihet më vetëm si ngjarje kulturore por edhe si ngjarje nga e cila përfiton ekonomia e vendit.
“Kur ka filluar DokuFest-i, si ide kryesore nuk ka qenë që me pas ndikim ekonomik. Më shumë është parë si ngjarje kulturore por me kalimin e kohës ajo është parë se përveç ndikimit në kulturë ka një ndikim mjaftë të lartë edhe në ekonomin e vendit”, u shpreh Agron Demi.
Sipas raportit, përfitimi ka ardhur si pasojë e rritjes së numri të vizitorëve.
“Për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve dhe rrjedhimisht konsumit, gjatë festivalit DokuFest kanë përfituar edhe shumë ndërmarrje afariste në Prizren të cilat kanë ofruar shërbime të akomodimit, ushqimit, raportit, rekreacionit” thuhet në raport.
Në raport thuhet se të përfitimet ekonomike nga ky festival pritet që të rriten dukshëm në dy vitet e ardhshme.
Në anën tjetër, Blendi Hyseni nga Instituti GAP ka sqaruar se për matjen e ndikimit të DokuFest-t, përveç të dhënave nga ATK, është bërë edhe një pyetësor prej 1015 respondentëve.
Sipas tij, shpenzimet mesatare të qytetarvë të Prizrenit gjatë kohës së mbahet festivali janë dyfishuar, nga 9 euro në 17 euro.
Festivali DokuFest është më i madhi i organizuar në Kosovë. Në këtë ngjarje kulturore bëhet shfaqja e dhjetëra filmave nga e gjithë bota ndërsa mijëra vizitorë mund t’i shikojnë ata në disa kinema të shpërndara në qytet.
Sipas raportit, vetëm vitin e kaluar rreth 15 mijë vizitorë kanë qene prezent në këtë ngjarje, prej të cilëve 37 për qind janë nga jashtë Kosova./Insajderi