Disa ditë pas shpalljes së kandidaturës të Blerim Isufajt për kryeprokurorë të shtetit, Agjencia Kundër Korrupsionit, ka parashtruar kallëzim penal kundër Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë, shkruan Insajderi.
Më 17 janar është hapur konkursi për këtë pozitë kurse me 15 shkurt AKK, nën udhëheqjen e njeriut të afërt me kryeministrit Kurti, Yll Buleshkaj i ngritë kallëzimi penal në Prokurori, Blerim Isufaj.
Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën për sqarim që Agjencia Kundër Korrupsioni ia kishte bërë Blerim Isufajt në vitin 2021, për deklarimin e pasurisë të vitit 2019.
Më 26 janar të viti 2021, AKK kishte kërkuar sqarim për mos deklarimin e saktë të të ardhurave personale të Isufajt.
“Kemi hasur disa paqartësi lidhur me të ardhurat personale. Ju në formularin e deklarimit të pasurisë keni deklaruar shumën prej 31,643.88 euro-neto nga paga, shumën prej 1,130.69 euro-neto nga mëditjet dhe shumën prej 1,044,81 euro-neto si honorar nga Akademia e Drejtësisë apo gjithsej shumën totale prej 33,819.38 euro-neto. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton se ju për vitin 2019, keni arkëtuar shumën prej 34,386.07 euro-neto pagë dhe shumën prej 3,335,00 euro-neto të hyra nga Akademia e Drejtësisë apo gjithsej 37,721.07 euro. Diferenca në të ardhurat e arkëtuara dhe të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 është 3,901.69 euro”, thuhet në kërkesën e AKK drejtuar Isufajt, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas pesë ditësh, Blerim Isufaj i kishte kthyer përgjigje Agjencisë Kundër Korrupsionit duke ju dhënë sqarimin lidhur me deklarimin e tij të pasurisë.
Në përgjigjen e tij Isufaj kishte thënë se arsyeja e diferencës së lartcekur është pasojë e një lëshim teknik si rezultat i mos krahasimit të të hyrave financiare për shkak të pamundësisë së pajisjes me pasqyra financiare bankare.
“Arsyeja e diferencës prej 3,901.96 euro nga të ardhurat e deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë së datës 24.03.2020 dhe atyre të arkëtuara për vitin 2019, është si rezultat i një gabimi teknik të paqëllimshëm në llogaritje, dhe kjo si pasojë e gjendjes së krijuar në vitin 2020 për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid 19”.
“Siç jemi te informuar të gjithë, me Vendimin e datës 13.03.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë mbylljen totale të qarkullimit por edhe reduktimit ekstrem në kryerjen e punëve në institucionet publike dhe private e në kuadër të tyre edhe të sistemeve bankare, e duke marrë parasysh se afati për dorëzimin e formularit për deklarimin e pasurisë ka qenë i kufizuar brenda muajit Mars, në pamundësi të pajisjes me pasqyra financiar nga banka, me datën 24.03.2020 kam bërë plotësimin e formularit për deklarim të pasurisë në mungesë të pasqyrave financiare, pra pa bërë krahasimin e të hyrave bazuar në pasqyrat financiare të bankë”, thuhet në sqarimin e Isufajt drejtuar AKK-së, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, ky sqarimi si duket nuk i ka mjaftuar Ylli Buleshkajt i cili pas një viti ka zgjedhur që kallëzimin penal ndaj Isufajt tashmë ta adresojë në Prokurorinë e Shtetit.
Për të mos mjaftuar ky kallëzim penal i parashtruar nga Agjencia Kundër Korrupsionit u bë publik nëpërmjet mediave një muaj pas shpalljes së konkursit zyrtarë për kryeprokuror të shteti.
Blerim Isufaj është njëri ndër gjashtë kandidatë që pretendon të marrë postin e kryeprokurorit të shteti.
Njeriu që ka parashkruar kallëzimin penal ndaj Blerim Isufajt, Ylli Buleshkaj është njeriu që mbështeti fuqishëm Vetëvendosjen në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit Yll Buleshkaj erdhi nga pushteti i Kurtit si një ‘shpërblim’ për kontributin që kishte dhënë lidhur me kandidatët e Vetëvendosjes që ishin shpallur fajtorë për vepra penale atë kohë.
KGjK i kishte rekomanduar/përgjigjur KQZ-së, që kandidatët me vepra penale, të mos certifikoheshin, ashtu siç e kërkon edhe ligji. Mes këtyre emrave, ishte edhe numri një në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti (tani kryeministër).
Buleshkaj kishte rekomanduar që të certifikoheshin të gjithë kandidatët.
AKK amniston ministren e Kurtit për deklarim të rremë të pasurisë
Ministrja e Punëve të Jashtmë, Donika Gërvalla është amnistuar nga njeriu i afërt kryeministrit Kurti, Ylli Buleshkaj për deklarim të rrem të pasurisë.
Ndryshe nga Isufaj, Gërvalla kishte dalur publikisht dhe e kishte pranuar se nuk e kishte deklaruar biznesin dhe pasurinë e bashkëshortitë të saj.
Ajo madje kishte menduar që është diçka që nuk i përket deklarimi të pasurisë.
“Tek formulari i deklarimit të pasurisë, unë kam ardhur dhe e kam deklaruar atë çfarë kam. Është shumë e vërtetë që aty nuk është përfshirë një kompani e cila ka një vlerë të tërësishme prej 500 euro, kaq janë aksionet që janë aty. Është e vërtetë nuk e kam përfshirë, sepse në atë fazë kam menduar që është diçka që nuk i përket këtij deklarimi të pasurisë. Aty për shembull nuk janë të përfshira edhe të ardhurat, rroga e bashkëshortit tim sepse është një problem kur jeton në dy shtete, ka disa çështje që janë të lidhura me legjislacionin e atij vendi”, ka thënë Gërvalla në ATV.
Njeriu i afërt me VV-në, Yll Buleshkaj i cili ka pozitën e drejtorit në AKK nuk e ka ndëshkuar ministren e Kurtit për veprën penale deklarim i rremë i pasurisë. E qe për të njëjtën vepër nuk e kurseu Blerim Isufajn kandidatin potencial për kryeprokuror te shtetit./GazetaInsajderi/