Para dy vitesh, dikush në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte kërkuar një shofer dhe një veturë të tipit BMW për të realizuar homazhe në Mejë dhe Prishtinë. Vetura ishte e paraparë vetëm për protokoll dhe delegacione të larta shtetërore.
Insajderi ka siguruar një dokument të datës 10 maj të 2022-ës që dëshmon vërejtjen që iu është dërguar Dardan Krasniqit, asistent/vozitës në MPJD.
Në këtë dokument thuhet se Krasniqi pas pranimit të kërkesës ka marrë veturën protokollare BMW për të shkuar në kryerjen e homazheve në Prishtinë dhe Mejë të Gjakovës.
“z.Dardan Krasniqi asistent/vozitës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me datën 26.04.2022 nga Departamenti i Protokolli të Shtetit pranë MPJD përmes postes elektronike ka pranuar kërkesë që me datë 27.04.2022 të sigurohet një veturë dhe një shofer për homazhet në Prishtine dhe Meje, të Gjakovës. z, Krasniqi pas pranimit të kërkesës ka marrë veturën protokollare BMW … për ta realizuar kërkesën”, thuhet në dokumentin që ka parë Insajderi.
“Vetura e lartëckur BMW …, është e dedikuar vetëm për protokoll, delegacionet e larta Shtetërore, e njëjta Eshtë përdorur pa leje të udhëheqësve si dhe kërkesa e Departamentit të Protokolli të Shtetit pranë MPJD nuk ka qenë për sigurimin e veturës e cila shfrytëzohet për delegacionet e larta”, vijon dokumenti.
Dokumenti vijon duke thënë se në rast se ky veprim përsëritet, ndaj Krasniqit do të iniciohet procedurë disiplinore. /Insajderi.org/