“Dokumente, incizime e fotografi” – Hetuesi i IPK sqaron gjithçka rreth aksionit për mbylljen e kazinove në Karaçevë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Dokumente, incizime e fotografi” – Hetuesi i IPK sqaron gjithçka rreth aksionit për mbylljen e kazinove në Karaçevë

    Insajderi
    12 December 2021 - 20:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hetuesi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa, në intervistën e tij të gjatë për InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi, ka rrëfyer detaje ekskluzive se si kishte shkuar aksioni për rastin në Karaçevë, si njëri ndër më të mëdhatë i kryer nga drejtësia kosovare pas pavarësisë së vendit.

    Haxhimustafa tregoi se fillimisht u angazhuan vetëm katër hetues, numër i cili u shumëfishua më pas.

    “Fillimisht pas marrjes së autorizimit Inspektorati Policor – Departamenti i hetimeve përkatësisht Divizion Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka filluar që këtë rast ta punojë me katër hetues, kemi parë që për hetimin e këtij rasti është i nevojshëm zbatimi i masave të fshehta kemi bërë kërkesë për propozim masa të fshehta të hetimit, ku Prokuroria Themelore e ka aprovuar kërkesën tonë dhe ka shtruar kërkesën pranë Gjykatës Themelore në Gjilan meqë rast jemi pajisur me masa të fshehta me ç’rast kemi filluar të hetojmë me masa të fshehta”, tha ai.

    “Aplikimi i këtyre masave ka qenë bukur i vështirë sepse kemi pasur të bëjmë me një zonë kufitare ku i ka do specifika dhe probleme të veta që nga marrëveshja e Kumanovës dhe tani, ku prezenca e zyrtarëve të shtetit në atë zonë ka qenë e kufizuar dhe e kontrolluar ku kjo i ka mundësu personave të cilat kanë qenë të implikuar në vepra penale të bëjnë kontrollimin të mirë të rrugëve dhe zona përreth”, u shpreh Haxhimustafa.

    Dosja e hetuesisë përmban, pos dokumenteve të shkruara edhe qindra orë incizime, biseda telefonike të përgjuara, dhe shumë fotografi. Po ashtu edhe shumë referenca për gjësendet që janë konfiskuar.

    Hetuesi konfirmoi se hetime kanë kryer thuajse në gjithë territorin e vendit.

    “Me orë nuk mundem saktë ta them, por ka pasur problematik të theksuar lidhur me këtë sepse vëzhgimi apo aplikimi i masave të fshehta është bë në tërë territorin e Republikën e Kosovës duke filluar nga zona e Karaçevës kemi përfundu në regjioni e Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës, Ferizajt, Lipjanit krejt kjo brenda 24h të qarkullimit të mallrave dhe personave”, deklaroi për InDoks.

    Megjithëse janë deponuar shumë prova, sa është krejt rasti i qëndrueshëm në një gjykim që do të zhvillohet në të ardhmen?

    “Prova ka, provat janë të pakontestuara të cilat janë grumbullu në zbardhjen e veprimeve inkriminuese të personave të cilat janë të përfshirë në këto vepra”

    “Në rastin konkret pas marrjes së autorizimit për veprime hetimore dhe fillimit të hetimit ndaj katër zyrtarëve policor gjatë fillimit të marrjes së veprimeve hetimore kemi vërejtur se në këtë rast kemi të implikuar edhe zyrtarë të tjerë policor poashtu një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, sa i përket bazës ligjore ligji i IPK-së jep mundësinë që IPK të hetoje edhe qytetarët kur janë të përfshirë në vepër bashkërisht me zyrtarët policor por në këtë rast ne kur e vërejtëm që është një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të implikuar në këto vepra penale atëherë i kemi informuar edhe Policinë e Kosovës, drejtorinë të krimeve ekonomike dhe korrupsionit – Drejtorinë Qendrore ku është formu një grup hetimor nga ana e tyre dhe janë bashkangjitur hetimit të përbashkët mes Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës dhe nga ai moment deri në përfundim të rastit, të aksionit lidhur me rastin e Karaçevës është hetuar bashkërisht”, tha ai.

    Ani pse hetimi në pjesën më të madhe u krye nga Inspektorati Policor, një organizatë e zbatimit të ligjit rrjedhimisht shumë e vogël, krahasuar me Policinë e Kosovës, deri në ditën e operacionit të madh kur u mbyllën kazinotë e u arrestuan policë e qytetarë, në publik nuk kishin rrjedhur informacione për vet hetimin nga hetuesit. Politikanët? Ata janë histori tjetër.

    “Sinqerisht nuk ka pasur rrjedhje të informacionit”.

    “Është punu në grupe të konsiderueshme të hetuese të Inspektoratit policor dhe Policisë së Kosovës, vëzhgimi kryesisht është kry nga ana e hetuesve të IPK-së ku e kemi edhe njësinë e mbështetjes teknike, ku hetuesit e kësaj njësie kanë marrë pjesë vazhdimisht në aplikimin e masave të fshehta, me plotë bindje e them që informacioni nuk ka rrjedh…”.
    “Kur ka seriozitet në punë dhe dëshirë për ta luftuar krimin nuk është e zorshme aspak, sepse të gjithë jemi zyrtarë, të gjithë jemi të përkushtum për kryerjen e detyrave dhe jemi betuar që të mbrojmë dhe respektojmë ligjin”.

    Operacioni zgjati shumë, por as ditët pasuese nuk do të ishin te lehta për hetuesit e IPK-së dhe Policisë të përfshirë në rast. Ishte pjesa monotone e kompletimit të dokumenteve.

    “Nuk kemi pushu kemi vazhdu pas kësaj, pastaj ka fillu puna ma e madhe dokumentimi, renditja e gjitha provave materiale, pjesa më e madhe e punës ku jemi të obligum që bazë të ligjit brenda 24 orëve ta dorëzojmë kallëzimin penal është bë një punë maratonike, prej ekipeve të IPK-së dhe Policisë së Kosovës por është bë edhe një punë e pa mohueshme e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku ka vu në dispozicion komplet stafin e saj – komplet objektin në shërbim të grupit. Normalisht, dy javë ditë do ishin të mjaftueshme”, tha Bardhyl Haxhimustafa për InDoks.

    InDoks | Bixhoz e kontrabandë, krimi që ende po vazhdon: Dokumentari i plotë:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark