×
  • Lajme
  • Lajme

    Dokumentet e kontrabanës së kompanisë “Kurum”: Kamioni me targa false dërgoi në fabrikë mijëra ton solar!

    Insajderi
    11 November 2024 - 14:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania “Kurum” ka marrë në mënyrë kontrabandë mijë ton solar, duke e përdorur në fabrikën e hekurit.

    VoxNews publikoi disa ditë më parë videot e një kamioni, me targa false FR 6138 C, i cili ngarkohej me solar në një punishte që djeg goma dhe e dërgonte në brendësi të shoqërisë koncesionare, duke përdorur një derë sekondare.

    Redaksia ka siguruar librin e shërbimit të punonjësve të sigurisë së “KURUM”-it, të cilët kanë shënuar orët hyrëse dhe dalëse të kamionit në fjalë.

    Kontrabanda, sipas këtyre dokumenteve, është bërë për një periudhë të gjatë, teksa dokumentet që ne po publikojmë, janë të muajit maj 2022.

    Dokumentet e kontrabanës së “Kurum”-it: Kamioni me targa

    Faksimile: Libri i shërbimit të punonjësve të sigurisë së “KURUM”-it për hyrje-daljet e kamionit me solar

    Dokumenti i mësipërm, është libri i shërbimit të punonjësve të sigurisë së “KURUM”-it, i cili ka të shënuar datën, muajin dhe vitin.

    Madje, edhe llojin e mallit, orën e hyrjes, orën e daljes, targën e makinës, ngarkesën apo edhe punonjësin e shërbimit.

    Madje, janë edhe firmat e punonjësve, çka e bën akoma më të lehtë hetimin e organeve qoftë mjedisore, tatimore apo edhe ligjzbatuese.

    Deri më sot, pavarësisht se punonjësit dhe ish-punonjësit e “KURUM” kanë bërë denoncime për këtë kontrabandë, asnjë institucion nuk ka reaguar, duke mbyllur sytë para këtij skandali.

    Në këto dokumente, të siguruara ekskluzivisht nga VoxNews, jepen të dhëna për makinën.

    Ajo del nga dera e pasme “bosh” dhe futet me “solar”. Këto të dhëna janë të shënuara te ky libër, që mund të verifikohen lehtësisht nga çdo organ, pasi ka edhe emrat e punonjësve të sigurisë që kanë bërë këto shënime.

    Mjafton që, edhe nëse ky libër nuk gjendet, të pyeten dhe t’u merret dëshmia, për të treguar këtë skandal të madh.

    Dokumentet e kontrabanës së “Kurum”-it: Kamioni me targa

    Faksimile: Libri i shërbimit të punonjësve të sigurisë së “KURUM”-it për hyrje-daljet e kamionit me solar në vitin 2022

    VoxNews ka shfletuar këtë libër, ku ka gjetur hyrje-daljet e kamionit për një kohë të gjatë në fabrikën e “KURUM”-it.

    Këto fletë janë të vitit 2022, çka tregon se kontrabanda ka kohë që kryhet në atë fabrikë, e cila kohët e fundit është vënë nën akuzë për mbetjet toksike, por edhe lojërat me punëtorët, teksa ka nxjerrë në “asistencë” qindra të tillë.

    Në këto fletë shkruhet se kamioni me targa FR 6138 C, mjet i cili ka edhe stemën e “KURUM Internacional” te xhami, është futur qindra herë, duke futur “solar”. Pra, përveç pamjeve të siguruara në nga VoxNews, tashmë ka edhe dokumente, me data dhe emra punonjësish.

    Dokumentet e kontrabanës së “Kurum”-it: Kamioni me targa

    Në foto: Kamioni i “KURUM”-it brenda fabrikës, me dy depozita të vendosura në karroceri

    Fotot e mësipërme janë të kamionit që është përdorur për kontrabandë solari. Punonjësit e “KURUM”-it e kanë fotografuar kohët e fundit këtë kamion, ku duken mjaft qartë dy depozitat e vendosura në karroceri. Këto depozita mbajnë rreth 11 mijë litra solar.

    “Mjeti drejtohet nga shoferi R.M, ndërsa targat janë false dhe nuk i përkasin këtij mjeti. Mjeti dhe shoferi e kanë kryer këtë aktivitet për shumë vite. E sjellin solarin kontrabandë te ‘KURUM’, pa paguar detyrimet apo edhe TVSH-në” ka shkruar një punëtor i KURUM-it në redaksinë e VoxNews.

    Prova mjaft evidente për të gjitha organet për të filluar hetime administrative apo penale për këtë kontrabandë, por të gjitha institucionet kanë mbyllur sytë.

    VoxNews do të vijojë të ndjek këtë skandal, duke publikuar të dhëna nga dy kompanitë, ajo e djegjes së gomave ku merret solari dhe tjetra “KURUM”-i, të cilat deri më tani janë munduar që vetëm të mbulojnë gjurmët dhe jo të përgjigjen për këtë skandal të ri.Vox News/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark