Dokumenti ekskluziv- Qeveria Kurti ia dha mbi 4 milionë euro kompanisë së lidhur me Martin Berishajn - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dokumenti ekskluziv- Qeveria Kurti ia dha mbi 4 milionë euro kompanisë së lidhur me Martin Berishajn

    Insajderi
    18 October 2022 - 20:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar 108 kontrata me shtatë kompani të ndryshme për import të energjisë elektrike për dimrin e kaluar. Buxheti i Qeverisë së Kosovës u varfërua 16.5 milionë euro.

    Kompania që përfitoi më së shumti ishte kompania GEN. Kjo kompani ishte përfshirë në skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat sipas televizionit slloven “Planet TV” pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.

    Kompania GEN fitoi numrin më të madh të kontratave në ankandet e KEK-ut, 30 sish, me vlerë të përgjithshme 4 milionë e 237 mijë euro.

    Në bazë të dokumenteve ekskluzive të siguruara nga ATV-ja, shihet se gjatë kësaj periudhe, përmes dhjetëra ankandeve, KEK-u nënshkroi 108 kontrata me shtatë kompani të ndryshme, sipas metodave: një ditë para dhe brenda ditës.

    Çmimi më i ulët i paguar për një megavat orë ishte 105.5 euro, më 2 Janar, në  kontratën me kompaninë bullgare Energy Supply.

    Ndërsa, çmimi i lartë i paguar për një megavat orë ishte 359 euro, më 10 Janar, në kontratën me kompaninë sllovene GEN-i.

    Nga totali prej 16 milionë e 552 mijë eurosh, nëpërmjet ankandeve, 4 milionë e 533 mijë euro shkuan te kompania NOA Energy Trade, në Maqedoni të Veriut dhe në Shqipëri, me të cilën KEK-u nënshkroi 19 kontrata.

    Enertrade nga Shqipëria fitoi 23 kontrata, në vlerë të përgjithshme 3 milionë e 809 mijë euro.

    Me një kontratë më pak, Holding Slovenske Elektrarne i shiti KEK-ut energji elektrike në vlerë të përgjithshme 2 milionë e 421 mijë euro.

    Kompania Daneze, Danske Comodities, nënshkroi pesë (5) kontrata me KEK-un me vlerë të përgjithshme më shumë se 917 mijë euro.

    Pak më shumë se 630 mijë euro është vlera e tetë (8) kontratave për blerje të energjisë nga kompania ReNRGY nga Shqipëria.

    Ndërsa, kontrata e 2 Janarit, në vlerë të përgjithshme 2 mijë e 532 euro ishte e vetmja me kompaninë bullgare, Energy Supply.

    Me rekomandim të Komitetit Teknik Emergjent, 11 Janar 2022, KEK-u bëri marrëveshje me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji – KESCO, përmes së cilës autorizoi kompaninë private të tregtojë me mjetet nga subvencioni i Qeverisë.

    Në ditët në vijim, ATV-ja do të publikojë detaje tjera lidhur me importin e energjisë elektrike me subvencionin e Qeverisë, përfshirë periudhën kur tregtimi u bë nga KESCO-ja.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark