Dokumnet| Presidentja “sakrifikon” këshilltarët për t’u dukur kursimtare, mijëra euro i morën si avance për udhëtimin në Mynih - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    Dokumnet| Presidentja “sakrifikon” këshilltarët për t’u dukur kursimtare, mijëra euro i morën si avance për udhëtimin në Mynih

    Insajderi
    19 February 2022 - 13:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani kohëve të fundit po tenton të paraqitet si kursimtare e madhe e buxhetit të shtetit.

    Si “kursimtare”, por vetëm në letra, ajo ka udhëtuar këto ditë edhe drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ndonëse emri i saj zyrtarisht nuk figuron askund në agjendën e kësaj konference.

    E përveç kartelës bankare të presidentes, që në të kaluarën kishte limit të shpenzimeve deri në pesë mijë euro, që duket se Osmani e shfrytëzon më shumë, për ta paraqitur veten si kursimtare dhe duke u kujdesur që shumë prej shpenzimet të mos i regjistrojë në emër të saj, si avanc për udhëtimin në Mynih ajo i mori vetëm 252 euro.

    Megjithatë, presidentja Osmani nuk udhëtoi e vetme drejt Mynihut dhe avanc shumëfish më të madh morën tre këshilltarët që po e shoqërojnë, Artan Murati, Donjeta Miftari dhe Drita Perezic.

    Demokracia.com e ka siguruar dokumentin që tregon sa para morën si avanc Osmani dhe stafi i saj më 15 shkurt për këtë udhëtim zyrtar në Gjermani.

    Këshilltari Artan Murati, i cili figuron si person përgjegjës për shpenzimet, faturat e shpenzimeve dhe raportimin pas përfundimit të udhëtimit, sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, i ka marrë avanc gjithsej 2 mijë e 86 euro. Ndërsa, dy këshilltaret e tjera të Osmanit, Donjeta Miftari dhe Drita Perezic, secila i kanë marrë nga 1 mijë e 86 euro.

    Si fond rezervë, për shpenzime të paparashikuara figurojnë të tërhequra gjithsej 1 mijë euro.

    Një biletë kthyese Prishtinë-Mynih, siç konfirmohet lehtësisht nga kërkimet online, kushton mesatarisht rreth 350 euro për person.

    Demokracia.com e ka pyetur edhe Zyrën e Presidentes lidhur me shpenzimet dhe shoqëruesit e presidentes në udhëtimin zyrtar në Gjermani, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

    Në fund të janarit, presidentja Osmani kishte publikuar shpenzimet e Zyrës së Presidentit nga viti 2013 e deri në vitin 2021.

    Demokracia.com kishte mësuar se te shpenzimet e presidentëve të tjerë ishin përfshirë edhe shpenzimet e ish-presidentëve që kanë zyra të vetat dhe që u mbulohen shpenzimet nga Presidenca, përfshirë edhe shpenzimet e tjera të ish-kabineteve, ndërsa tek shpenzimet e presidentes Osmani ishin përfshirë vetëm shpenzimet që janë të regjistruara në emër të saj. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark