Një iniciativë që kishin nisur për bamirësi nuk përfundoi ashtu siç duhej. Parat e mbledhura u konfiskuan nga policia e Kosovës. Bashkë më to shkuan në polici edhe organizatorët. Policia po dyshon se personat që ishim mbledhur në një pompë të benzinës në Prizren ishin duke organizuar gara ilegale të shpejtësisë. Shtatë persona përfunduan në stacion policorë dhe ndaj tyre u iniciuan veprat penale për Organizim i skemave piramidale dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Përkundër versionit të policisë, të ndaluarit po pretendojnë se takimi i tyre kishte qëllim të mirë. Mbledhjen e parave për shërimin e një fëmijë 9 vjeçar.
Shtatë persona përfunduan në stacionin policor në Prizren. Në orët e vona të se hënës ata u kapen duke mbledhur para ilegalisht. Shoqërimi i tyre u bë publik përmes një komunikate nga Policia e Kosovës. Por një version ndryshe nga ajo se çfarë shkruan në raportin e policisë kanë dhënë dy organizatorët për Gazetën Insajderi.
Beni, një nga shtatë personat e shoqëruar të hënën në polici tha për Insajderin se takimi i tyre kishte për qëllim mbledhjen e të hollave të kërkuara për shërimin e 9 vjeçarit Leonit Sylaj. Thirrja e tyre ishte urgjente sepse kishin vetëm 72 orë në dispozicion për t’i mbledhur parat.
“Kemi marr thirrje prej Zgjimit për me i ndihmu një fëmije 9 vjeçar. Kemi dal jemi mbledh për me mbledh fonde. Ka qenë postimi në të cilin e kemi cek që është urgjente dhe kemi dal me mbledh para. Na nuk kemi marr leje prej policisë sepse nuk kemi pas kohë. Kemi pas kohë 72 orë. Djali është konstatu në orën 11 të ditës ndërsa ne kemi dal në orën 8 të mbrëmjes kemi dal na me i mbledh paret”, deklaroi ai për Insajderin.
Thirrja e tyre ishte bërë publike edhe në rrjetet sociale.
Beni, tutje tregon se pasi ishin takuar, derisa ishin duke ngrenë darkën, dy policë kanë shkuar dhe i kanë shoqëruar në polici si të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Ai thotë se shoqërimi i tyre në polici ishte krejtësisht i pa bazuar sepse sipas tij, ata kishin dal për me mbledh para e jo të organizuar gara me vetura.
“Pasi kemi dal kanë ardh policia, na kanë akuzu për skema piramidale dhe për rrezikshmëri të përgjithshme. Aty nuk ka pas të bëj me gara. Veturat kanë qenë larg na jemi kon tu honger buk. Na kemi dal me mbledh pare jo me bo gara. Na i kemi pas shënimet që kemi dal për me mbledh pare për Leonit Sylën, djalin 9 vjecar” tha ai.
Sipas tij, shtatë personat ishin liruar nga policia në orën 4 të mëngjesit pasi ishin intervistuar nga hetuesit.
Ai, tutje tregon se atyre i janë konfiskuar para, telefonat dhe veturat e tyre.
Insajderi ka kontaktuar edhe Zgjim Piran, një nga personat e shoqëruar në polici, por i njëjti nuk ka dashur të bashkëpunoj me mediumin duke thënë se ‘do të merret Inspektorati Policor i Kosovës me rastin’.
Gazeta ka kontaktuar edhe IPK’në për të ditur nëse kanë nisur hetim lidhur me versionin e policisë dhe pretendimet e të dyshuarve por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Çfarë deklaroi Policia e Kosovës dhe pse nisën hetimet ndaj shtatë të dyshuarve
Të hënën, Policia rajonale e Prizrenit, ka njoftuar se pas marrjes së informacionit për dyshimin për organizimin e garave të shpejtësisë në afërsi të hyrjes së autostradës Prizren-veri, kanë intervenuar dhe kanë hasur disa automjete dhe persona të cilat ishin duke u përgatitur për gara të shpejtësisë dhe ishin duke mbledhur para për bastet.
Pas ndërhyrjes nga policia, shtatë persona janë intervistuar nga policia dhe ndaj tyre ka filluar procedura penale për veprën penale “Organizim i skemave piramidale” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Bazuar në informacionet që ka publikuar policia garat ishin planifikuar të mbaheshin në shpejtësisë në afërsi të hyrjes së autostradës Prizren-veri.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në mesin e të shoqëruarve në polici edhe djali i gjyqtarit të Apelit
Në mesin e shtatë të rinjve ishte edhe djali i ish-kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tashme gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – divizioni penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Çoçaj ka konfirmuar për Insajderin se djali i tij, Altin Çoçaj është në mesin e shtatë personave që janë shoqëruar të hënën në polici për pjesëmarrje dhe organizim ilegal të garave të shpejtësisë.
Por, ai mohon se djali i tij merr pjesë në gara ose organizon gara me vetura. Çoçaj tha se djali i tij ka qenë “në vendin e gabuar në momentin e gabuar“.
“Djali im ka qenë në momentin e gabuar në vendin e gabuar. Aty kanë qenë të parkuar disa vetura, djali im ka qenë brenda në pompës së derivateve, ka ardh policia dhe i ka marr të gjithë për kinse po organizojnë gara me vetura, mirëpo vetura ime nuk është veturë e garave se nuk i ka ato përfomanca për gara. Djali jem as nuk ka qenë kurrë në gara as nuk organizon gara. Aty kanë qellu disa vetura disa njerëz dhe i kanë marr të gjithë, ata kanë qenë të parkuar në ‘Shell‘”, ka thënë gjyqtari Çoçaj për Insajderin.
Ndërsa lidhur me veturat që policia njofton se janë konfiskuar është edhe vetura e gjyqtarit, Skender Çoçaj. BMË 997 me ngjyrë të kuqe, e cila është konfiskuar nga policia, është pronësi të gjyqtarit.
Këtë e ka konfirmuar edhe ai vet për Insadjerin duke shtuar se është veturë familjare.
“Ajo ka qenë vetura ime personale. Veç një veturë e kemi. Krejt familja e vozitim atë veturë“, tha ai.
Gazeta ka kontatkuar edhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit për të kuptuart se cili është versioni i tyre, por ende nuk kanë kthyer përgjigje./Insajderi.org/