Prokuroria Speciale në Mal të Zi ka nisur një hetim ndaj presidentin të vendit, Milo Gjukanoviç pas publikimit të përgjimeve nga autoritetet italiane për skemën e dyshuar të pastrimit të parave, ku është i përfshirë edhe biznesmeni shqiptar i naftës, Rezart Taçi.
Sipas transmetuesit televiziv, RTCG, hetimi ka nisur para dy ditësh, ku prokuroria do të marrë në pyetje presidentin malazez, ndërkohë që ai vetë i ka mohuar akuzat, edhe pse është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet ftesës së drejtësisë.
Përgjimet e publikuara në mediat italiane zbuluan se Rezart Taçi kishte përfshirë Gjukanoviçin në transferimin e parave në ‘Prva Bank’, që është në pronësi të Aco Gjukanoviç, vëllai i presidentit.
Në një përgjim mes Taçit dhe ekonomistit të pastrimit të parave për mafien italiane, Fabio Petruzzella, biznesmeni shqiptar garantonte se do të fliste me mikun e tij president dhe do ta zgjidhte situatën në Malin e zi përmes transferimit të parave. Por Gjukanoviç i ka mohuar pretendimet gjatë një konference shtypi në Cetinje.
Sipas tij, këto janë akuza të pabaza që si qëllim kanë largimin e vëmendjes nga problemet e rëndësishme të jetës publike dhe politike në vend.
“Me shumë kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës të çdo autoriteti të shtetit, sepse dua të jap shembullin sesi dikush duhet të sillet nëse do që të vendoset sundimi i ligjit. Është rast i fabrikuar. Nuk e di kush janë këta njerëz dhe as nuk kam pasur kontakt me ta në asnjë lloj mënyrë”, tha ai.
Gjukanovic po hetohet gjithashtu edhe për zbulimet në “Pandora Papers” se ai dhe djali i tij Blazo, dyshohet se kanë depozituar para në llogaritë ‘offshore’ nëpërmjet një rrjeti të komplikuar kompanish në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Ishujt Virxhin, Panama dhe Gjibraltar.
Një javë më parë, SPAK arrestoi kunatin dhe ish-truprojën e Taçit, si dhe shpalli në kërkim këtë të fundit, si të dyshuar në një skemë pastrimi të 18.399.996 eurove, të cilat dyshohet se i përkasin organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”.
Sipas dosjes, dyshohet se Taçi, jo vetëm vuri në dispozicion njohjet e tij në Mal të Zi dhe në Shqipëri për të lejuar transferimin e shumës nga parajsat fiskale deri në Singapor, por u bë personalisht garant me pasurinë e tij, nëse 18 milionë eurot do të bllokoheshin.
Mediat italiane kanë publikuar përgjime telefonike mes Taçit dhe menaxherit të parave të pista të mafies, Françesco Zummo dhe ekonomistit të tij, Fabio Petruzella, të cilët kanë udhëtuar në Mal të Zi dhe Shqipëri për të qenë të sigurt për kalimin e parave.
Por Taçi i ka mohuar këto akuza, pasi pretendon se ka biseduar vetëm me mikun e tij, Daniele Cestagalli, i cilësuar si ndërmjetës mes italianëve dhe shqiptarit.
Nga ana tjetër, pala italiane, ka arrestuar Petruzzella-n dhe po mban në “arrest shtëpie” bosin e ndërtimeve në Palermo, Zummo.
Në këtë çështje u përfshi edhe politika shqiptare, ku deputeti i PD, Ervin Salianji, akuzoi ish-zv.kryeministri Erion Braçe në Kuvend si të përfshirë në këtë aferë.
Ndërkohë që në një nga bisedat e përgjuara të italianëve, del se për të zhbllokuar kalimin e miliona eurove në “Alpha Bank” në Tiranë, “po mblidhen firmat e të gjithë qeverisë shqiptare”.