Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka qenë i ftuar së fundi në emisonin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova. Ai ka folur për Presidentin Historik, Ibrahim Rugova si dhe për dy figura shumë të rëndësishme, Papa Gjon Pali II dhe Nënë Terezën.
Don Lush Gjergji thotë se krishtërimi nuk ishte diçka e huaj për Rugovën, sepse ai ishte studiues i historisë dhe i krishtërimit tonë 2 mijë vjeçar. Ndër të tjera ai tregon se çfarë i tha Presidenti, Ibrahim Rugova për strategjin tereziane.
“Gjithsesi, për të krishtërimi nuk ishte diçka e huaj, nuk ishte diçka e panjohur. Ai në rend të parë si studiues i mirëfilltë, jo vetëm i Bogdanit, por edhe i tërë historis dhe i tërë krishtërimit tonë 2 mijë vjeçar, aty e gjeti brumin me vlera dhe virtyte njerëzore, pra edhe kombëtare dhe çmoj lartë kontributin që e ka dhënë Kisha Katolike gjatë shekujve për popullin iliro-shqiptar, apo arbërorë. Dy figurat të cilat i kishte gjithmonë në gojë, në zemër dhe të cilat edhe botërisht i ka çmuar dhe nderuar ishte Papa tashmë Shën Gjon Pali II, me të cilin kishte një komunikim të jashtëzakonshëm dhe në të gjeti protagonistin i cili ja dha grushtin e fundit, përfundimtar rrënimit të ateizmit dhe komunizmit, të diktaturës së kuqe”
“Në anën tjetër e kishte Nënën Terezë, shpeshëherë më thoshte mos thuaj strategjia gandiane, por strategjia tereziane, sepse nëse Nëna Tereze e përfitoi botën mbarë dhe kur gjithë ishin kundër saj, ajo me dashuri arriti të depërtoj atje ku njerëzit nuk kanë pasur fuqi, as me sy ta shohin, e jo më me duar ta prekin këtë realitet, pse ne mos ta arrimë, paqen, lirin, demokracinë dhe pavarësinë, me mjete paqësore jo dhunore, apo me mjete siç thoshte ai tereziane.” tha ai.
Don Lush Gjergji tregon se Rugova jetoi dhe vepoi me dy protagonistët e mëdhenj të shekullit XX, siç ishte Papa Gjon Pali II, dhe Nëna Terezën. Tutje, ai thotë se Ibrahim Rugova ishte një profet.
“Prandaj, Rugova ka qenë një njeri i cili e ka gërshetuar në mënyrë të mrekullushme, lashtësin, historinë, traditën, kulturën, por edhe aktualitetin në të cilën jetoi dhe veproi ai, me dy protagonistët e mëdhenj të shekullit XX, siç ishte Papa Gjon Pali II, dhe Nënë Tereza. Dhe, pikërisht këtu është gërshetimi i së kaluarës, i së tashmës dhe hapja e prespektivave apo horizonteve për të ardhme. Presidenti ynë ishte një vegimtar, ishte një vizonar. Unë e kam quajtur edhe një profet i mirëfilltë i paqës, i liries, i pavarësisë dhe demokracisë, atëherë kur njerëzit çuditeshin, mahniteshin çka flet ky njeri apo a ndërron. Ai së paku 10, 15, 20 vite, i ka pa shumë qart, se nevojitet një ndërhyrje ndërkombëtare, nevojitet protektorat për një kohë dhe pastaj dalëngadalë Kosova do të jetë shtet i lirë, shtet i pavarur dhe shtet demokratik multietnik.” ka thënë ai në ‘FAKTE me Adnan MEROVCIN’.