
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përvjetorit të 23-të të masakrës në Krushë të Madhe, e përcolli edhe një moment jo i mirë.
Derisa vizitonte varrezat e martirëve të lirisë në Krushë të Madhe, ai u përballë me motrën e dëshmorit, kushërirën e Ukshin Hotit, Bahrije Hotin. Në një video të publikuar në Facebook, zonja në fjalë ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit të dijë arsyet pse është shkarkuar si diplomate e Kosovës.
“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohet duke i thënë ajo, Kurtit.
Kurti është përgjigjur shkurt duke i thënë se “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”.
Ajo sërish ka insistuar duke i treguar Kurtit se ka pasur padrejtësi gjatë shkarkimit të diplomatëve.
“E kuptoj, por padrejtësitë po vazhdojnë me të thënë të drejtën. Unë jam betuar para varrit, para gjakut të këtyre dëshmorëve”, thoshte ajo.
Kurti është zotuar se do të interesohet për shkarkimin e saj nga vartësja e tij, shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla.
“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikojë për çka bëhet fjalë”, thotë Kurti.
Por, ja çka kishte thënë Gërvalla para një jave, kur e kishte shkarkuar Hotin.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhëniet e punës së 11 punonjësve të kësaj ministrie. Ky vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën.
“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, thuhej në njoftimin e ministrisë së Gërvallës, transmeton Gazeta Insajderi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, vazhdonte tutje njoftimi.
Bahrije Hoti ka punuar diplomate në disa nga ambasadat e Kosovës jashtë vendit.