
Vrasja e Ilaria Sulës nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, ka tronditur të gjithë Italinë.
Vrasja e Ilaria Sulës nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, ka tronditur të gjithë Italinë. Autori, me origjinë nga Filipinet, i mori jetën 22-vjeçares shqiptare pas një debati të ashpër, duke e goditur me thikë. Në këtë ngjarje tragjike, ishte e përfshirë edhe nëna e 23-vjeçarit, e cila ka dëshmuar se ndihmoi në pastrimin e gjakut nga shtëpia dhe fshehjen e trupit.
Së fundmi, gazeta Il Messaggero ka publikuar dëshminë e autorit, i cili ka shpjeguar se çfarë e shtyu të kryente këtë krim makabër. Ai ka treguar se marrëdhënia e tij me Ilarian ishte drejt fundit, një fakt që ai nuk mund ta pranonte. “Isha gati të luftoja që Ilaria të kthehej si e dashura ime,” ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Samson ka treguar gjithashtu se si nisi lidhja e tij me Ilarian: “Ne u takuam në vitin 2023 dhe më 30 prill të atij viti e konfirmuam lidhjen tonë. Kemi pasur një marrëdhënie normale, si çdo çift, me ulje-ngritjet tona.” Sipas tij, situata ndryshoi kur Ilaria i kërkoi të shihte notat e provimit të universitetit rreth dy-tre muaj më parë, një kërkesë që e çoi në një traumë të madhe për Samsonin, pasi ai kishte ankth në lidhje me performancën e tij para prindërve. Ai pohon se Ilaria i dha një ultimatum: nëse nuk ia tregonte notat, do ta linte.
Në fund të janarit të këtij viti, ata kishin vendosur të bënin një pauzë në lidhjen e tyre, por ndonëse ai e pranoi këtë vendim, ata vazhduan të takoheshin. “Ilaria ishte e paqëndrueshme. Herë më trajtonte si të dashur dhe herë si një mik të thjeshtë,” shpjegoi ai. Ai më pas tregoi se nuk mund ta pranonte ndarjen dhe, edhe pse miqtë e tij e këshillonin që të hiqte dorë, ata vazhduan të takoheshin edhe për dhjetë ditë të tjera. Ilaria, sipas tij, dukej më e ftohtë dhe dëshironte të dilte vetëm me miqtë e saj.
Sipas dëshmisë së tij, ajo herë e trajtonte me ngrohtësi, si të dashur, dhe herë tjetër me ftohtësi. Prokurorët akuzojnë Samsonin për vrasje me dashje të rënduar, si dhe për fshehjen e kufomës.