Dorëheqja e kryeministrit Lecornu, Macron përballë tri zgjedhjeve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Dorëheqja e kryeministrit Lecornu, Macron përballë tri zgjedhjeve

    Insajderi
    06 October 2025 - 18:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sébastien Lecornu i ka dorëzuar dorëheqjen Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila është pranuar nga ky i fundit.

    Vetëm disa orë pas emërimit të qeverisë së tij, që në pjesën më të madhe ishte identike me të kaluarën, kryeministri u dorëzua. Një zhvillim i papritur që hap një krizë të re politike në Francë.

    Lista e ekzekutivit të ri ishte shpallur vetëm mbrëmjen e djeshme, ndërsa mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave ishte planifikuar për sot, 6 tetor. Lecornu, 39 vjeç, ish-ministër i Mbrojtjes, u emërua më 9 shtator 2025, menjëherë pas rrëzimit të François Bayrou, dhe nisi një seri konsultimesh për të kërkuar një kompromis parlamentar. Por negociatat dështuan në shumë fronte.

    Me socialistët, pas refuzimit të kryeministrit për të rihapur diskutimin mbi reformën e pensioneve ose rikthimin e taksës mbi pasurinë për më të pasurit, nuk u arrit asnjë marrëveshje.

    Me të djathtën, Lecornu u përball me republikanët, të cilët janë thellësisht të ndarë. Kryetari i partisë, Bruno Retailleau, kishte shpallur mbrëmjen e djeshme një mbledhje urgjente për të vendosur nëse do të rishikohej pjesëmarrja në ekzekutivin e ri. Por nuk pati kohë, kryeministri mori në konsideratë mungesën e shumicës për qeverinë dhe vendosi papritmas të dorëhiqej.

    Qeveria e Lecornu-it zgjati vetëm 12 orë. Një rast i paprecedentë në Francë!

    Lecornu mbajti një fjalim të shkurtër për të shpjeguar veprimin e tij, duke u paraqitur si një njeri i dialogut, i gatshëm për kompromis, por i penguar nga refuzimi për të bërë kompromis i udhëheqësve politikë.

    “Çdo parti kërkon që tjetri të zbatojë programin e tij në tërësi. Kompromisi nuk është një cenim. Por për këtë duhet të ndryshosh mentalitetin”, tha Lecornu.

    “Mjafton shumë pak që gjërat të funksionojnë. Kjo pak do të nënkuptonte më pak interes personal, më shumë përulësi dhe të heqësh dorë nga disa ego”, shtoi ai.

    Tani hapen tre skenarë të mundshëm.

    Macron mund të përpiqet të emërojë një kryeministër të ri, ndoshta nga krahu i majtë ose një figurë teknike, mbi palët. Skenari i dytë është ndërhyrja e drejtpërdrejtë e presidentit, me shpalljen e një shpërndarjeje të re të Asamblesë Kombëtare, e dyta brenda pak më shumë se një viti pas asaj të vendosur në qershor 2024.

    Ekziston edhe një hipotezë e tretë, më e largët por jo e pamundur, një hap i Macron-it vetë, i cili mund të çelë rrugën për zgjedhje presidenciale të parakohshme për të dalë nga ngërçi politik që paralizon Francën.

    Marine Le Pen, kryetare e grupit Rassemblement National, e ka cilësuar si “një farsë” mundësinë e emërimit të një kryeministri të ri nga Macron, i cili sipas saj “po reziston në mënyrë irracionale dhe po e vendos vendin në një situatë jashtëzakonisht të komplikuar”.

    Sipas Le Pen, “vendimi i vetëm i duhur është të kthehemi te kutitë e votimit dhe të lejojmë që francezët t’i japin një drejtim vendit”.(La Repubblica)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark