×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dosja | Beteja për tokë në Novosellë të Vitisë- Si u përgjak rruga “Luftëtarët” me dy karikator kallashnikovi

    Insajderi
    15 August 2024 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy karikatorë kallashnikovi në njërën anë, dhe një revole në anën tjetër. Dy të plagosur dhe një gjuajtës me armë të gjatë që shpëtoi pa asnjë plumb. Krejt sherri nisi për një tokë. Insajderi sjell detaje ekskluzive nga Dosja e Prokurorisë për rastin e ndodhur ditë më parë në Novosellë të Vitisë, tek rruga që si për ironi mbanë emrin “Luftëtarët”.

    Visar Duriqi

    Rruga quhet “Luftëtarët”. Gjendet në fshatin Novosellë komuna e Vitisë.  Më tetë gusht të këtij viti, ajo rrugë ishte përgjakur nga disa “luftëtarë” që po bënin një betejë për një tokë.

    Në këtë rast u përfshinë dy palë fqinj që mos-pajtimet se kush ta blinte atë i sollën deri në situatën ku të përdorje kallashnikovi.

    Dosja e Prokurorisë së Gjilanit, një kapje të së cilës e ka siguruar Gazeta Insajderi jep detaje se çka ndodhi në ditën kritike ku dy anëtarë të familjes Beqiri mbetën të plagosur, derisa personi që sipas dosjes në me rafal shtiu me kallashnikov në ta, Naser Haimi shpëtoi pa asnjë plagë, ani pse Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për të plagosurit.

    Aktualisht në paraburgim gjendet Naser Halimi, që dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë, dhe po ashtu në paraburgim kanë mbetur edhe Nazmi e Agim Beqiri, që sipas Prokurorisë edhe janë të dëmtuar e edhe janë të dyshuar.

    Si ndodhi krejt ngjarja?

    Më tetë gusht 2024 derisa Nazmi e Agim Beqiri, të shoqëruar edhe me familjarë të tjerë kishin dalë që ta shihni një copë toke që ishin në procedurë gati pothuaj se të kryer për ta blerë në Novosellë të Vitisë, ishin parë nga komshiu i tyre, Naser Halimi që po ashtu ka pretendime për ta blerë po të njëjtën tokë.

    Sipas asaj që ai ka deklaruar në një seancë të mbyllur, ai kishte dyshuar që mund të sulmohej nga ta, dhe sipas përshkrimit të dosjes së Prokurorisë në Gjilan, të përpiluar nga Prokurorja Leonora Kadriu, ai kishte marrë armën e tij pa leje, kallashnikov, dhe kishte shkuar në drejtim të grupit të personave që ishin bashkë me Nazmi e Agim Beqirin, shkruan Insajderi.

    “Më dt.08.08.2024  rreth orës 10.07h, në fshatin Novosellë, K.Viti, në rr,’’Luftëtarët’’, në hapësirën fushore në mes të shtëpive të familjes Rexhepi dhe Halimi, i pandehuri Naser Halimi, me dashje ka tentuar ti privoj nga jeta  të pandehurit -dëmtuarit  Nazmi dhe  Agim Beqiri”, thuhet në dosjen e deponuar në Gjyq nga Prokuroria, dhe aty sqarohet edhe mënyra se si ai ka dashur ti privoi nga jeta ata.

    “…në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një prone, sapo i sheh të pandehurit Nazmi dhe Agim  të cilët së bashku me djemtë e tyre kishin shkuar në pronën kontestuese, i pandehuri shkon në shtëpinë e tij nga ku merr një armë automatike AK-47, dhe nga një distancë deri 30m, pozicionohet dhe gjuan pandërprerë në drejtim të tyre ,pasi në vendin e ngjarjes gjenden 17 gëzhoja të kalibrit 7.62mm”, thuhet në dosje dhe bëhet me dije se nga kjo gjuajtjeje Nazmiu e plagos në pjesën e pulpës së këmbës së djathtë dhe në mes të dy këmbëve, ndërsa Agimin e plagos në të dy këmbët, “duke rrezikuar edhe jetën e  J., V., A., F. dhe F. Beqiri që ishin në të njëjtin vend me ta”, thuhet në dosje, raporton Insajderi.

    Prokuroria e përshkruan skenën duke thënë që nga gjuajtjet e Naser Halimit, pesë personat e fundit  “nga frika shtrihen barkazi në bari, me ç ‘rast i pandehuri me veprimet e tija ka tentuar ta privojë nga jeta të pandehurit Nazmi dhe Agim duke e vënë me dashje në rrezik edhe jetën e personave të tjerë që gjendeshin në të njëjtin vend”. 

    Edhe pse Prokuroria thotë që janë gjendur vetëm 17 gëzoja plumbash të kallashnikovit, modelit armës që përdori Naser Halimi, në një pjesë tjetër të po të njëjtës dosje “i pandehuri Naser Halimi,  pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi  armë të zjarrit të markës AK-47, me nr.serik ….83, me dy karikatorë dhe katër fishekë të kalibrit 7.62mm,  e  cila është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për Naser Halimin Prokuroria i është arsyetuar Gjyqit se pse gjithqysh duhet ta mbajë në paraburgim, duke nxjerr detaje nga momenti kritik.

    “Gjithashtu ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ngase duke e marrë për bazë natyrën e veprave penale  që në rastin konkret bëhet fjalë për vepër penale  kundër jetës dhe trupit  dhe atë të natyrës së rëndë për faktin se  të pandehurit përveç që kanë shtënë në drejtim të njëri tjetrit me qëllim që të privimit nga jeta  për shkak të konfliktit pronësor, me dashje kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë dhe atë i pandehuri Naser Halimi edhe jetën e dëshmitarëve F.B, V.B, J.B, A.B dhe F.B i pasi i njëjti gjuan me rafal fishekësh në drejtim të turmës-të pandehurve ku ishin edhe këta persona ndërsa i pandehuri Nazmi Beqiri me armë zjarri gjuan në drejtim të pandehurit  Naser përkundër se është i vetëdijshëm se edhe dëshmitarja V.H. ishte afër tij dhe mund ta qëllonte”, thuhet në dosjen që e ka siguruar Insajderi.

    Prokurorja Kadriu i thotë Gjykatës se “kur kemi parasysh mënyrën e kryerjes së veprave penale, këmbëngulësinë e treguar për përmbushjen e qëllimit që  veprave penale i japin një rrezikshmëri akoma më të lartë, motivi që i ka paraprirë, pesha e veprave penale dhe rrezikshmëria e tyre, e sidomos kur kemi parasysh faktin se raportet ndër personale janë të acaruara tej mase dhe në këto rrethana përshkallëzimi i rrezikut është evident , e që në këtë fazë të procedurës duke pas parasysh rrethanat e paraqitura  justifikojnë  kufizimin e lirisë së lëvizjes me qëllim të parandalimit të përsëritjes apo kryerjes së ndonjë vepre penale me pasoja akoma më të rënda”.

    Edhe në grupin e atyre që përfunduan ose të plagosur ose duke ikur barkazi, të familjes Beqiri, sipas Prokurorisë ka pasur gjuajtje dhe ka pasur armë, shkruan Insajderi.

    Duke përshkruar kohën e vendin e njëjtë të ngjarjes, Prokurorja Kadriu i thotë Gjykatës se “i pandehuri Nazmi Beqiri, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta  të pandehurin Naser Halimi, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një prone të cilën i pandehuri  Nazmi e kishte blerë,  pasi me vëllain e tij dhe djemtë e tyre shkojnë në pronën kontestuese ku e kishte edhe armën e zjarrit me vete  dhe  sapo e sheh që I pandehuri Naser nga shtëpia e tij kishte dalë me armë zjarri dhe me të ishte edhe bashkëshortja e tij…., I pandehuri Nazmi nga një distance  deri 30m, me një revole të markës  SIG 14, me nr.serik ….28 , gjuan disa herë në drejtim të pandehurit Nazmi,  por që fatmirësisht nuk arrin ta qëllojë”, thuhet në dosje dhe prandaj Prokuroria edhe për këtë person ngre dyshimin se ai me veprimet e tija ka tentuar ta privojë nga jeta të pandehurin Naser Halimi,  duke e vënë me dashje në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së tij me çka ka kryer vepër penale vrasje e rëndë  në tentativë.

    Prokuroria megjithatë sqaron se Nazmi Beqiri për armën që dyshohet se ka përdorur në këtë ka leje valide të lëshuar nga institucionet kosovare- pra ishte armë me leje për poligon.

    Agim Beqiri në anën tjetër po dyshohet për armëmbajtje pa leje pasi që pas incidentit  dhe pas një kontrolli të bërë në vazhdim nga Policia atij i gjenden dhe i sekuestrohen një pushkë  gjuetie  e markës CIF-San, me nr.serik C…. TM dhe një pistoletë  e markës  SIG  SAUER me nr. serik ..66, me dy karikatorë  dhe 28 fishekë të kalibrit 9x19mm, shkruan Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark