
Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor, nën dyshimin se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që planifikonte vrasje dhe sulme me eksploziv. Të arrestuarit janë Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri, të cilët ndodhen në paraburgim që nga data 21 shkurt. Grupi, i drejtuar nga Demë Elshani, dyshohet se së fundmi ka planifikuar vrasjen e Sh. H. Gazeta Insajderi sjell detajet ekskluzive të këtij grupi dhe aktiviteteve të tij kriminale.
Bazuar në dosjen e prokurorisë, Demë Elshani është porositësi dhe financuesi i sulmit, Dardan Ramqaj është përgjegjës për realizimin e planit, Fatos Qallaku siguron mbështetjen logjistike, Shpend Kelmendi ka për detyrë të shoqërojë ekzekutorin e sulmit deri në vendin ku do të ndodhte vrasja dhe pastaj ta largonte në një vend të sigurt, Demokrat Mucaj siguron një person nga Shqipëria për të vendosur dinamitin dhe për të kryer sulmin.
Roland Beqiri dhe Dardan Ramqaj kishin për detyrë të inskenonin një situatë ku dy persona me veturë të lëviznin afër bizneseve të familjes B…., për të tërhequr vëmendjen e policisë, ndërsa sulmi të realizohej në anën tjetër.
Më 21.02.2025, Dardan Ramqaj i ka raportuar një personi NN (të panjohur) për një incident gjatë ditës, duke thënë: “Unë dola me motrën, u takuam me atë njërin, pimë kafe dhe më tha runu se keni qenë në përgjime dhe përcjellje”
Për këtë shqetësim, ka kontaktuar Demë Elshanin, i cili e ka këshilluar që të mos ndërmerrte veprime të nxituara dhe të vepronte me kujdes.
Çka u sekuestrua nga të pandehurit?
Më 21 shkurt të 2025, në orën 21:35, ishte kryer një kontroll policor, ku janë sekuestruar disa sende nga të pandehurit: Dardan Ramqaj: Pistoletë me mbishkrimin PPU 32 Auto, 6 fishekë, Telefon Samsung A60.
Fatos Qallaku: Telefon Samsung Galaxy A24, Telefon Samsung Galaxy A51, Sasi e vogël e dyshuar për kokainë, Kapelë koke (që e ka bartur në një operacion), DVR i sekuestruar nga një biznes.
Roland Beqiri: Pistoletë Ekol FIRTACOMPACT, Një karikator, Telefon Samsung Galaxy A13, SIM kartelë IPKO.
Shpend Kelmendi: Armë e shkurtër Canik me numër serik T6472-20B01, Dy karikatorë me 20 fishekë, Armë e gjatë Zastava me numër serik 97878, 20 fishekë të kalibrit 5.56 mm, Telefon iPhone 14, SIM kartelë IPKO.
Demokrat Mucaj: iPad Apple, Fletëdërgesë Wunion, Telefon Nokia, Dy granata dore F1, Lugë detonator mekanik me numër serik 123462.
Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi dhe Roland Beqiri janë ndaluar në biznesin e Fatos Qallakut, i cili ndodhet në rrugën transit pranë KFOR-it.
I pandehuri Dardan Ramqaj është arrestuar në veturë, afër pompës DHF, ndërsa i pandehuri Demokrat Muçaj është arrestuar në Deçan.
Si rrjedhojë, Prokuroria e Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Dardan Ramqaj, Fatos Qallaku, Shpend Kelmendi, Demokrat Muçaj dhe Roland Beqiri, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që ka përgatitur vrasje dhe sulme me eksploziv.
Lexo edhe: