×
  • Lajme
  • Lajme

    Dosja e Gani Jakupit: 7500 euro pagë- Kë e takoi dhe sa iu paguan ekstra udhëtimet e hotelet?

    Insajderi
    31 October 2024 - 11:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendimi i Ambasadës së Kosovës në Bruksel për ta angazhuar Gani Jakupin si konsulent të jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike në këmbim të një page mujore prej 7 mijë e 500 eurove kishte nxitur një debat mjaft të madh në media e rrjete sociale. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në fillim kishte refuzuar të publikonte kontratën e Jakupit, kontratë e cila do t’i siguronte këtij të fundit 90 mijë euro dhe benefite të tjera shtesë.

    Gazeta Express ka arritur që të sigurojë raportin financiar dhe raportin e punës.

    Në raportin financiar të Gani Jakupit, përveç pagesës mujore që ka marrë prej 7 mijë e 500 eurove, figurojnë edhe 10 mijë e 88 euro të tjera, të cila kanë shkuar për udhëtimet, akomodimin dhe drekat e Gani Jakupit.

    Vetëm për bileta udhëtimit, MPJD ka rimbursuar Gani Jakupin në vlerë prej 5 mijë e 401 euro e 52 centë. Për dreka 1 mijë e 580 euro e 6 centë dhe për akomodim 3 mijë e 42 euro e 6 centë. Ndërkohë në raportin financiar figurojnë edhe 64 euro e 12 centë tek shpenzimet e klasifikuara si të tjera.

    Gani Jakupi takimin e parë të tij në kapacitetet e konsulentit të jashtëm e kishte zhvilluar në Bruksel më datën 7 korrik, e që sipas informacioneve gjysmake që shihen në dokument, lidhet me aspekte kulturore e edukative në shtetit belg.

    Më 10 korrik, Gani Jakupi ka raportuar një udhëtim tjetër në Madrid, ku sipas asaj që shkruan në raport, ka takuar ndonjë zyrtar në Spanjë që merret me aspekte kulturore. Jakupi në raport shkruan se “kuptueshëm s’mund të pritet ndonjë bashkëpunim i drejtpërdrejtë me një institucion të madhësisë së…”, duke vënë në pah problemin e mosnjohjes së Kosovës nga Spanja.

    Në të njëjtën ditë, Gani Jakupi, tregon edhe për një takim që ka pasur me një gazetar në Madrid, megjithatë MPJD ka anonimizuar emrin dhe përmbajtjen e këtij takimi.

    Më 17 korrik në Paris, Jakupi ka raportuar se është takuar me një korrespondente të një televizioni, që më herët ka qenë ish-korrespondente në Pekin dhe Shangahi. Kjo korrespondente, siç shkruan Jakupi ka mundësi reale për të ndërlidhur vetë Jakupin me persona me influencë.

    Po me atë datë në Paris, konsulenti i jashtëm i Ambasadës së Kosovës në Bruksel raporton për takimin me ambasadorin e Kosovës në Francë, Mehdi Halimin.

    Në një restorant në Paris, në mbrëmjen e 17 korrikut, Jakupi tregon se është takuar me një kineaste japoneze.

    Më 18 korrik, Gani Jakupi udhëton drejt Strasburgut për t’u takuar me përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në konsullatë, Lulzim Hisenin dhe Bardha Etemin.

    Po në të njëjtën ditë, Jakupi raporton një takim tjetër në Strasburg, takim i cili ka të bëjë me organizimin e një eventi me artistë nga Spanja, Italia, Franca e Portugalia.

    Më 18 korrik, Gani Jakupi kthehet në Paris për t’u takuar me një drejtues galerie. Sipas konsulentit kosovar, vlen të mbahen kontaktet me këtë person, meqë mundëson promovimin e artistëve kosovarë në shtete të tjera.

    Më 19 korrik 2023 Jakupi tregon për një takim që ka pasur me një person në qytetin e Blois të Francës, me të cilin ka biseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit në fushën e artit pamor dhe narracionit grafik. Jakupi në raportin e tij narrativ tregon edhe për idenë e këtij personi që t’i sugjerojë kryetarit të qytetit të Blois, binjakëzimin me qytetin e Prishtinës. Në të njëjtën ditë, Jakupi tregon se në Paris është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të cilin thotë se e ka njoftuar me punën e bërë.

    Tetë ditë pas këtij takimi me Konjufcën, Jakupi tregon se ka udhëtuar drejt Barcelonës për t’u takuar fillimisht me një autore e cila ka njohuri për luftën ne Kroaci. Më 28 korrik 2023, Jakupi tregon për një udhëtim 28 kilometra larg Barcelonës, në qytetin Vilasar De Mar, për t’u takuar me një gazetar të një të përditshmeje kryesore në Barcelonë, i cili është edhe një prej kritikëve më të rëndësishëm. Ky gazetar, siç thotë Jakupi në raportin e tij narrativ, do të provojë të krijojë lidhje mes Jakupit dhe gazetarëve të tjerë të interesuar kryesisht për rajonin e Ballkanit dhe Kosovën.

    Në gusht të vitit 2023, Jakupi tregon për një takim që ka zhvilluar në Bruksel me datën 3 gusht, me një person nga fusha e komunikimit, i cili siç tregon Jakupi, ka shfaqur gatishmëri për të ndihmuar krijimin e lidhjeve me njerëz të fushës.

    Më 7 gusht, ai tregon edhe për një takim tjetër që ka pasur, megjithatë si rezultat i anonimizimit të dokumentacionit nga MPJD s’dihet kush është ky person.

    Më 16 gusht në Bruksel, Gani Jakupi tregon për një takim tjetër me një person me të cilin tregon se kanë biseduar për mediat në gjuhën angleze.

    Më 18 gusht, Jakupi tregon se ka takuar një person në një kompani në Paris që merret me fotografi.

    Më 22 gusht në Paris, Gani Jakupi takon edhe një menaxhere të projekteve ndërkombëtare, me të cilën bisedon për artin dhe kulturën dhe tërheq vëmendjen se institucioni privat ku punon kjo zyrtare, s’bën financime të drejtpërdrejta të projekteve, por mund të jetë ndërmjetëse me institucione të tjera.

    Më 23 gusht në Paris, Jakupi takon një person nga fusha e artit i cili ka shprehur interesim për Kosovën dhe idenfikimin e talenteve në Kosovë. Po atë ditë, ai tregon për një takim tjetër, në të cilin ka biseduar rreth mundësisë së krijimit të një projekti televiziv rreth figurës dhe veprës së Ismail Kadaresë.

    Në raportin narrativ, Jakupi tregon edhe për takimin që me datë 25 gusht 2023 ka pasur në Bruksel, me një person i cili është i famshëm në botë për karikaturat e tij. Ndonëse MPJD ka fshehur identitetin e këtij personi duke u thirrur në ruajtje të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së punës lobuese, vetë Jakupi s’është kujdesur për këtë pjesë dhe ka njoftuar për këtë takim në profilin e tij në ‘facebook”.

    Përshkrimi që Jakupi bën në raportin e tij narrativ dërguar ambasadorit Bajramin, përkon me informacionet që ai jep në “facebook” për takimin me Philippe Gleuck, një aktor e karikaturist me famë botërore për karikaturat e tij “Le Chat”.

    “Philippe Geluck është një aktor, karikaturist, prezantues në radio dhe TV… dhe ndoshta shumë gjëra të tjera. Një nga artistët më pjellorë belgë, i cili u ngrit në famë botërore falë karikaturave të tij “Le Chat””, ka shkruar Jakupi në postimin e tij publik në “Facebook”.

    Në shtator 2023, Gani Jakupi njofton për kthimin e tij në Prishtinë dhe një takim që e ka pasur për të biseduar rreh organizimit të “Kosovo 25”, ekspozitë që Jakupi thotë se e ka thelbësore të tregojë Kosovën e pasluftës.

    Në raport, Gani Jakupi tregon edhe për një takim tjetër, që MPJD e ka anonimizuar pothuajse plotësisht. Megjithatë vetë Jakupi është kujdesur që të zbulojë atë në profilin e tij në “facebook” duke aprovuar etiketimin që Frederig Stormberg i ka bërë. Bëhet fjalë për një takim të zhvilluar në Brazil. Jakupi në raportin narrativ tregon se Brazil kishte arritur më 6 gusht, e ku i ishte dhënë mundësia të takohej edhe me “Dr. Stormbergun”, me të cilin thotë se ishin afruar shpejtë.

    Takimet e datave nga 10 deri më 15 shtator, MPJD i ka anonimizuar pothuajse plotësisht dhe është e pamundur të nxirren detaje se me kë është takuar Jakupi dhe cila ka qenë përmbajtja e bisedave të këtyre takimeve.

    Më 20 shtator, Jakupi tregon për një takim që ka pasur në Ambasadën e Kosovës në Paris me Shemsi Krasniqin, përfaqësues i Kosovës pranë Organizatës Ndërkombëtare për Frankofoni.

    Më 27 shtator, Jakupi tregon për një takim që ka pasur më një person që ka realizuar fotografi gjithandej në regjionet ku ka pasur shqiptarë.

    Po me këtë datë, Gani Jakupi zhvillon një takim me ambasadorin e Kosovës në Paris, Medi Halimi, me të cilin tregon se ka biseduar për një iniciativë për t’u takuar me një presidente.

    Në këtë raport të punës, Gani Jakupi ka raportuar edhe për shkëmbime të e-mailave e bisedave telefonike. Pothuajse 90 % e përmbajtjes së raportit të punës së Gani Jakupit nga janari 2024 deri në fund të mandatit të tij është e anonimizuar.

    Gani Jakupi kontratën e tij me MPJD e kishte lidhur me datë 20 qershor 2023 dhe në pozitën e konsulentit të jashtëm do të angazhohej për një vit. Kontrata e tij ka përfunduar më 16 qershor 2024.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark