Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar sot zyrtarët e Komunës së Deçanit. Drejtorët Ramë Melajn, Halil Tolajn dhe Jashar Hulajn për akuzën e ngritur për korrupsion, përkatësisht për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” në rastin e ndërtimeve ilegale.
Ramë Melaj, drejtori i Urbanizmit, u dënua me 3 vite e 9 muaj burg dhe me gjobë prej 10 mijë eurove.
Halil Tolaj, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Jashar Hulaj, shef i sektorit për Inspeksion, u dënuan me nga 3 vite burg dhe me gjobë prej 5 mijë eurove.
Këtë vendim gjykata e mori pas aksionit të Prokurorisë Themelore të Pejës për ndërtimet pa leje që u realizua në 5 komuna.
Çka thuhej në aktakuzë e ngritur nga Prokuroria?
Në dosjen që ka siguruar, Gazeta Insajderi zyrtarët e Komunës së Deçanit Ramë Melaj, Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj akuzohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
I pandehuri Ramë Melaj: Me datë 03.03.2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja në shumën prej 170.000€ për personin tjetër dhe atë për organizatën “Shtëpia Alpike”, me përfaqësues Jeton Berisha, në atë mënyrë që, duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim , lëshon vendim me nr. 04.Nr.6082/1 për lejimin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në “Bjeshkët e Belegut”, ashtu qe i pandehuri me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim pranë KK. Deçan, lëshon lejen në fjalë me te cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale me nr. 60/0 ZK. Irzniq II, me titullar Pasuri shoqërore “OPPB Kosovodrvo Prishtina OP Gjeravica”, pronë kjo nën administrimin e AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja, e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”,
– me çka ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së. II.
Me datë 06.08.2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit në shumën prej 40,000€ për personin tjetër dhe atë për organizatën “OJQ Kosovo Montain Club” , në atë mënyrë që, duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna , lëshon vendim për leje mjedisore komunale me nr. 04.Nr.13396/1 për lejimin e zbatimit të projektit “Zhvillimi i shtegut të ngjitjes sportive -Via Ferata Deçan-” si dhe “Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Grykën e Deçanit”, i pandehuri, me rastin e pranimit të kërkesës nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së së lartcekur – Adriatik Gacaferi, nxjerr vendim për leje mjedisore komunale për ngastrat kadastrale me nr. 312/1 dhe 442/0 ZK. Isniq, me titullar P.SH.OTHPB “Kosovodervo Prishtinë OP Gjeravica”, prona këto nën administrimin e AKP-së, me te cilën ia mundëson dhe lejon OJQ-së zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”,
– me çka ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së. III.
Me datë 29.12.2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja në shumën prej 323.160€ për personin tjetër dhe atë Bashkim Ahmetaj, në atë mënyrë që, duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim , lëshon pëlqim me nr. 04.Nr.32848/2 për aplikim dhe ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartcekuri dhe për ndërtim në ngastrën kadastrale me nr. 209/0 ZK. Isniq, pronë e të njëjtit, me te cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”,
– me çka ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së. IV.
Me datë 05.06.2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe atë për subjektin ekonomik “Lika Trade” SH.P.K. Deçan me pronar Jahir Likaj, në shumën që tejkalon 5.000€, në atë mënyrë që, duke vepruar në kundërshtim me PRRU “Qendra”, Deçan, lëshon vendimin për ndërtim të objektit afaristo-banesor me etazhitet B+P+6 dhe B+P+7 për subjektin ekonomik në fjalë, duke qenë në dijeni për kushtet e përcaktuara për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të dt. 15.11.2011 e lidhur në mes të Komunës së Deçanit dhe investitorit “Gogaj AG”, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04.Nr.167/1 të datës 28.01.2013, si dhe kushteve të lokacionit me nr.04.Nr.4902/11 të datës 06.11.2012, për ngastrën kadastrale nr. 1073/1, PSH. e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik “Gogaj AG”, edhe përkundër kësaj i njëjti lëshon vendimin për leje ndërtimore me nr. 04.Nr.9669/2, dt. 05.06.2022, me përfitues subjektin ekonomik “Lika Trade”, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afarist-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë investive prej 24.134.17€,
– me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 e lidhur me par. 1 të KPRK-së.
Të pandehurit Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj
Nga data 11.02.2019, e në vazhdimësi deri më sot, në rr. “Ahmet Cacaj”, K. Deçan, duke vepruar në bashkëkryerje nuk i përmbushin detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në shumën që tejkalon 5.000.00€, në atë mënyrë që, i pandehuri Halil si drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit, K. Deçan, ndërsa i pandehuri Jashar si Shef i Sektorit për Inspekcion pranë kësaj drejtorie, duke vepruar në kundërshtim me nenin 29, 30 dhe 31 të Ligjit për Ndërtim , si dhe nenit 6 par. 3 nën par. 3.8 dhe nenit 15 par. 1 nen par. 1.2 te Udhëzimit Administrativ , nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, si dhe duke mos zbatuar përgjegjësitë që dalin nga pozita e të njëjtëve dhe atë në kundërshtim me nenin 14, 17, 23 e 24 te Ligjit për Inspektorat , mundësojnë ndërtimin e tre kateve (3K) shtesë dhe katit tërheqës (KT) në objektin afarist-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndërtimore me numër 04.nr.2491/2 e datës 11.02.2019, i lejohej ndërtimi me etazhitet B+P+3K, përkundër që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të dt. 05.03.2021 dhe inspektimit të fundit në bashkëpunim me organet kompetente të dt. 11.06.2021, ku edhe janë vënë shiritat për mbyllje të vend-punimit, të konstatuara si punime ndërtimore të kundërligjshme, e që të njëjtit sipas detyrë zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim, duke mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligjshme, duke përfunduar objektin afarist – banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së sipërfaqes rreth 2500m²,
– me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.