Biznesmeni Izet Sheqiri, pronari i kompanisë “MC FOOD”, Sh.p.k, akuzohet si organizator, mbikëqyrës i grupit të organizuar kriminal, i cili ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin e dërgimit të 400 kg droge nga Brazili që destiancion të fundit patën depon në Lipjan. Dosja e prokurorisë zbardh detajet e aktakuzës rreth skemës së dyshuar kriminale dhe aktivitetet e të akuzuarve tjerë të përfshirë në rast
Ditën e hënë Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj biznesmenit Izet Sheqiri, lidhur me rastin e madh të 400 kg kokainë që nga Brazili përfunduan në depon e kompanisë së tij “MC Foods” në Lipjan.
Bashkë me Sheqirin po akuzohen edhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina. Të gjithë dyshohen si pjesë e grupit që u kapën në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë.
Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar të siguruar nga“Betimi për Drejtësi”, Izet Sheqiri, pronari i kompanisë “MC FOOD”, Sh.p.k, po akuzohet se ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe udhëheqës i grupit të organizuar kriminal, ku ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin.
Sipas aktakuzës, Sheqiri ka caktuar rolin e anëtarëve të grupit të organizuar kriminal brenda një hierarkie, ashtu që me të akuzuarin tjetër Faton Vrajolli kanë planifikuar të importojnë substancën narkotike të llojit kokainë në sasi prej 400 kg, raporton“Betimi për Drejtësi”.
Këtë sasi të kokainës, sipas prokurorisë kishin planifikuar ta vendosnin brenda një sasise të produktit të mishit të bardhë, për importimin e të cilës duke shfrytëzuar kompaninë “MC FOOD” Sh,p.k. kanë lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë “SEARA” nga Brazili.
Pronari i kompanisë “MC FOOD”, thuhet se në vazhdimësi ka mbajtur kontakte me shoferin, tani të akuzuarin Fehmi Bytyqi, lidhur me ecurinë e transportimit. Bytyqi thuhet se ka qenë i caktuar për transportimin e kokainës nga Shqipëria për në Kosovë.
Bëhet e ditur se i akuzuari Bytyqi, me të arritur në terminalin doganor në Fushë-Kosovë, pasi është hapur kontejneri për kontrollë, incizon mallin brenda kontejnerit ku ishte substanca “dhe menjëherë ia dërgon të pandehurit Izet Sheqiri, për ta siguruar se substanca narkotike kishte arritur të futet në Republikën e Kosovës”.
Me këtë, i akuzuari Izet Sheqiri ngarkohet me veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par. 1, lidhur me nenin 275, par. 1, pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.
Përveç kësaj, Izet Sheqiri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje të tipit pistoletë “Tulla Tokarev” TT-33”, që mbante 7 copë fishekë dhe 43 copë fishekë që Policia i ka gjetur në shtëpinë e të akuzuarit në Prishtinë.
I akuzuari Izet Sheqiri, në mbrojtjen e tij kishte mohuar faktin se ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet. Mirëpo, sipas prokurorisë mohimi i tij është në kundërshtim me provat, duke shtuar se i njëjti nuk ka mohuar se është pronari i kompanisë “MC FOOD” dhe se në këtë cilësi ka qenë në dijeni gjatë gjithë kohës për hyrje-daljet dhe punët që bëhen në kompaninë e tij.
“I njëjti me mëdyshje e ka pohuar faktin se ka qenë i informuar për porosinë në të cilën ishin vendosur substanca narkotike, mirëpo provat argumentojnë qartë se i njëjti ka qenë i informuar për këtë transport, ngase ashtu edhe ishte planifikuar me parë nga të pandehurit”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se i akuzuari Sheqiri në mbrojtjen e tij, bën përpjekje që përgjegjësinë ta bartë te i akuzuari Faton Vrajolli.
“Me rastin kur mbrohet në faktin se Faton Vrajolli ka pasur kompetencë të bëjë porosinë e mallit, njëkohësisht duke treguar se porosia është bërë nga Faton Vrjaolli pa dijeninë e tij, mirëpo kjo bie ndesh me provat materiale, respektivisht adresat elektroniket të siguruara nga ana e prokurorisë, të cilat njoftojnë se edhe i pandehuri Izet Sheqiri ishte i njoftuar duke qenë CC”, bëhet e ditur nga aktakuza.
Po ashtu, në dëshminë e dëshmitares M.H thuhet se njëjta në mënyrë të qartë ka dëshmuar se drejtori i importit Faton Vrajolli është përgjegjës për porosinë e mallit, duke dëshmuar edhe për porosinë e fundit së bashku me të akuzuarin Izet Sheqiri, kanë zhvilluar negociata me kompaninë “SEARA” dhe se porosia e mallit bëhet çdoherë me dijeninë e këtij të fundit, pra të pronarit të kompanisë.
“Tutje deklaron se fillimisht me 07.12.2020 është bërë kontrata mes kompanisë “MC FOOD” Sh.p.k. dhe kompanisë “SEARA” për produktet “Chicken Nuggets” dhe se kontratën e ka bërë kompania “SEARA” me marrëveshjen e të dy palëve, e cila kontratë është dërguara në e-mail adresë të Faton Vrajollit i cili e ka konfirmuar të njëjtën. Më pas me date 09.12.2020 dërgohet kontrata e ri-përpiluar nga kompania “SEARA” ku sqarojnë se arsyeja e ri- përpilimit ka qenë shkaku i paketimit të produkteve për shkak të pandemisë COVID-19”, ka sqaruar prokuroria.
Ndër të tjera, thuhet se dëshmitarja deklaron që në periudhën kohore janar-maj 2021 ka pasur raste kurnga kompania “SEARA”, kompania “MC FOOD” ka pranuar mall i cili pas hapjes së kontejnerit, ka qenë i rrëzuar, i çrregullt si dhe me mungesë të sasisë dhe se ka pasur raste kur kontejnerët janë inspektuar gjatë rrugës dhe për këtë janë njoftuar nga linja përkatëse detare.
Në këtë rast, prokuroria ka dëgjuar edhe dëshmitarë tjerë dhe ka siguruar edhe prova materiale. Ndërsa, ka kërkuar që të akuzuarit Izet Morina dhe disa të akuzuarve tjerë t’iu vazhdohet masa e paraburgimit.
Ndryshe, PSRK bashkë me Izet Sheqirin po i akuzon edhe Faton Vrajollin, Kadri Sheqirin, Kadri Rrahimin, Fehmi Bytyqin, Hyzri Sheqirin dhe Naim Morinën, lidhur me rastin e sekuestrimit të 400 kg kokainë në Lipjan.