Tetë zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një pjesëtar i Policisë Kufitare, u arrestuan dje (18 nëntor) në veri të Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Insajderi mëson se 9 zyrtarët e arrestuar janë: Verograd Miletic, Admir Sejdiu, Andrija Çavic, Mirko Jevtic, Tomislav Dimic, Mensur Stagova, Nenad Mitic, Granit Zymberi dhe Arben Aliu.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Insajderi, zyrtari policor i cili u arrestua dje është Arben Aliu.
Për çka dyshohet zyrtari policor, Arben Aliu?
Arben Aliu dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit“, gjatë muajit tetor 2021.
Zyrtari policor Arben Aliu dhe zyrtari doganor Tomislav Dimic dyshohet se kanë pranuar para të mbështjellura me foli, në zyrat ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë në Han të Elezit.
“Në vendin e quajtur Hani i Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të makinave tek Evidenca Paraprake, në zyrat aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë pranuar mjete monetare të mbështjella me foli, ku më pas këto mjete i kanë ndarë me njëri tjetrin“, thuhet në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka siguruar Insjaderi.