×
  • Lajme
  • Analiza

    Dosja ndaj Braqes – Ish`kryetari i Shtërpcës akuzohet se mori mbi 1 milionë euro ryshfet për leje të villave në Brezovicë

    Insajderi
    12 December 2022 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    12 persona janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë për rastin “Brezovica 1”, ku i përfshirë është ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Braqe siç njihet ndryshe ai, akuzohet se ka marrë mbi 1 milionë euro ryshfet në këmbim të lejeve për villat në Brezovicë. Ndaj tij rëndojnë edhe tri vepra tjera penale. Gazeta Insajderi, sjell dosjen e prokurorisë

    Bratisllav Nikoliq, ish kryetari i komunës së Shtërpcës ngarkohet nga Prokuroria Themelore e Ferizajt me katër vepra penale, që lidhen me rastin e ndërtimeve në zonën turistike Brezovica.

    Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe mbajtje në pronësi dhe posedim i paautorizuar të armës.

    Aktakuza është ngritur me 9 dhjetor, dhe përveç Nikoliqit pjesë e saj janë edhe 11 persona të tjerë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bratislav Nikoliq i njohur si Braçe ishte arrestuar dhjetorin e kaluar nga Policia e Kosovës pas një operacioni që ishte zhvilluar në 12 lokacione.

    Nikoliq, dyshohet që ka përfituar mbi 1 milion euro dhe dhurata si vetura dhe vila për lëshimin e lejeve të ndërtimin në Brezovicë.

    Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Bratisllav Nikoliq nga viti 2013 deri në 21 dhjetor të vitit 2021 dyshohet se si kryetar i Komunës së Shtërpcës ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qellim të përfitimit të pasurisë për vete, në këmbim të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Nikoliç dyshohet se ka dhënë leje ndërtimore në zonën dy dhe tre për ndërtimin e vikend shtëpizave, ndërtimeve hoteliere, leje ndërtimore të objekteve banesore.

    Krejt këto veprime sipas prokurorisë dyshohet se i kreu në këmbim të shumave të mëdha të parave që në total kapin vlerën e mbi 1 milion eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas aktakuzës Braqe akuzohet se në këmbim të 210 mijë eurove për 21 l leje ndërtimi të cilat ia mundësoi Alban Qukës si përfaqësues i komanisë “Quka Co”, si dhe 200 mijë euro tjera për leje ndërtimore të një objekti hotelier, shkruan Insajderi.

    Përveç këtyre, Bratisllav Nikoliq, sipas aktakuzës dyshohet se ka marrë edhe 240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport”, Rijad Hasani, 100 mijë euro tjera për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida”.

    Me tej në aktakuzë thuhet se ish-kryetari ka marrë 100 mijë euro të tjera nga Blerim Imeri për marrjen e 10 lejeve ndërtimore.

    “80 mijë euro të tjera nga investitori Liridon Domaneku për leje ndërtimore të objektit banesor me 14 apartamente, 30 mijë euro nga Husein Ajdini për lejen ndërtimore për hotelin “Rock”, 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova” dhe 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva: për lejen për gjashtë vikend shtëpi, një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë eurove dhe 3 vikend shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro, të cilat leje ishin dhënë  në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Ligjin për mBrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e ndikimit në mjedis Ligjin për parkun kombëtar “Sharri”, planin hapësinor për këtë park – të cilat ndërtime kanë bërë degradimin e papërmirësueshëm të mjedisit dhe rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri” zona Brezovicë”, thuhet në aktakuzë. 

    Me të gjitha këto veprime Nikoliq dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Kjo nuk është e gjitha Nikoliq dyshohet edhe për veprën penale marrje ryshfeti.

    Derisa vepra e tretë penale për të cilën ngarkohet ish-kryetari i Shtërpcës Nikoliq, është ajo e ushtrimit të ndikimit.

    Pasi ka marrë të gjitha këto para Nikolic sipas prokurorisë dyshohet se ka ushtruar ndikim tek drejtori i Kadastrit Sasa Milosavljevic dhe drejtori i urbanizimit Dimitrije Racecevic për përgatitjen e dokumentacionit nga zyra kadastrale dhe lëshimin e lejeve nga drejtoria e Urbanizmit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e parkut kombëtar Sharri në Brezovicë.

    Braqe i njohur ndryshe ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

    “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datën 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij në Shtërpcë, ai ka poseduar armë në kundërshtim me nenin 5 të ligjit për armë në atë mënyrë që me rastin e urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pistoletë e tipit Cërvena Zastava, dy karikator dhe 247 fishek të kalibrit 9mm, dhe një armë shigjetë të cilat janë sekuestruar nga policia”, thuhet në aktakuzën ndaj tij. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark