
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Mehmetit dhe Qëndrim Marevcit për veprat penale fajde, ndihmë në fajde, shpëlarje parash, falsifikim i dokumenteve, mashtrim dhe kanosje, me dëm të pretenduar ndaj të dëmtuarve në vlerë prej mbi 6 milionë euro.
Në periudhën janar–dhjetor 2020, në Prishtinë, Bekim Mehmeti në mënyrë të kundërligjshme ka kontaktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve me të dëmtuarin A.M.
Thuhet se A.M., duke qenë në gjendje të rëndë financiare, në janar 2020 ka marrë para me fajde nga Mehmeti në shumën prej 100 mijë euro me kamatë mujore 10%, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për të siguruar kthimin e parave, Mehmeti e ka kushtëzuar të dëmtuarin me dhënien e autorizimit për shitjen e pronës.
Më pas, pasi i paguan disa kamata, A.M., merr sërish 100 mijë euro me të njëjtën kamatë, dhe Mehmeti e kushtëzon përsëri me të drejtën për shitje të pronës përmes kontratës noteriale nga Sh.M., nëna e K., për objektin afarist 2.800 metra katror në lagjen “Pejton”.
Kur A.M., nuk mund t’i kthejë paratë Mehmetit, ky i fundit, në bazë të kontratës noteriale, ia shet pronën Marevcit për 500 mijë euro, përmes dy veturave (njëra në vlerë 300 mijë euro dhe tjetra me transfer bankar prej 200 mijë euro).
Marevci, kinse për përmbushje të kontratës, transferon dy herë nga 50 mijë euro te Sh.M., e cila më pas i transferon 100 mijë euro te A.M., si kthim të fajdes, të mbuluar me veprime të kundërligjshme nga Mehmeti dhe Marevci.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mehmeti me ndihmën e Marevcit falsifikojnë “Kontratë mbi huanë në të holla”, kinse Sh.M., po i jep huazim Mehmetit 100 mijë euro, duke vazhduar cikli i transferimeve ndërmjet tyre.
Sipas aktakuzës, përmes këtyre veprimeve Mehmeti ka përfituar pasuri në mënyrë joproporcionale dhe u ka shkaktuar dëm Sh. dhe A. M.
Prokuroria e ngarkon Mehmetin me veprën penale “Fajde” sipas nenit 331 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, nga 21 gusht deri më 31 dhjetor 2020, në Prishtinë, Qëndrim Marevci ka ndihmuar Bekim Mehmetin në kthimin e fajdes nga A.M. Thuhet se Mehmeti i kishte dhënë A.M., 200 mijë euro me kamatë 10% dhe e kishte kushtëzuar me shitjen e pronës përmes kontratës noteriale.
Prona, 2.800 metra katror në “Pejton”, ishte llogaritur në 500 mijë euro, dhe Mehmeti e shet te Marevci, duke marrë dy vetura (vlera 300 mijë euro) dhe transfer bankar prej 200 mijë euro.
Marevci i transferon Sh.M., dy herë nga 50 mijë euro, e kjo e fundit ia dorëzon shumën Mehmetit për kthim të fajdes.
Marevci e ndihmon Mehmetin në përpilimin e dokumentit të rremë “Kontratë mbi huanë”, kinse Sh.M., po i jep huazim Mehmetit 100 mijë euro, duke vazhduar cikli i njëjtë i transferimeve.
Prokuroria e ngarkon Marevcin me veprën “Ndihmë në fajde” nga neni 311 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 33 të KPRK-së.
Në pikën tjetër të aktakuzës, nga 21 gusht deri më 31 dhjetor 2020, Mehmeti dhe Marevci në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë që buron nga aktiviteti kriminal, për të fshehur vlerën reale.
Thuhet se pronat reale, me vlerë tregu prej 6.3 milionë euro, janë shitur në mënyrë fiktive për 500 mijë euro.
Për këto veprime, Mehmeti dhe Marevci ngarkohen me veprën penale “Shpëlarje parash” nga neni 302 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe nenin 31 të KPRK-së.
Edhe në pikën të tjetër të aktakuzës, Mehmeti ngarkohet se më 14 shtator 2020, përmes dokumentacionit të falsifikuar, ka përpiluar kontratë noteriale për pronat dhe e ka dorëzuar në Bankën Kombëtare Tregtare, duke mundësuar transfer prej 100 mijë euro.
Prokuroria e ngarkon me veprën penale “Falsifikim dokumentesh” nga neni 390 paragrafi 1 dhe 2 i KPRK-së.
Në pikën e pestë të aktakuzës thuhet se më 30 tetor 2020, Mehmeti ngarkohet se ka mashtruar A.M., për shitjen e pronës 2.800 m² në “Pejton”, duke përdorur metoda mashtrimi dhe duke i dhënë vetura me vlerë të dyfishtë krahasuar me tregun.
Prokuroria e ngarkon me veprën penale “Mashtrim” nga neni 321 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.
Në pikën e gjashtë, thuhet se më 21 janar 2025, në lagjen “Qëndresa”, Mehmeti akuzohet se ka kanosur M.M., gjatë kohës kur ky po jepte dëshmi në Polici për rastin e fajdes.
Gjatë bisedës, Mehmeti e kishte kërcënuar me fjalët: “Tërhiqe padinë ose ke me pas telashe me mua”, duke i shkaktuar frikë dhe ankth viktimës.
Prokuroria e ngarkon me veprën penale “Kanosje” sipas nenit 181 paragrafi 2 të KPRK-së.
Aktakuza është dorëzuar pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë e nënshkruar nga prokurori Rafet Halimi. Prokurori ka paraqitur si rrethanë rënduese për dy të akuzuarit se shkalla e lartë e dashjes, shkalla e lartë e dëmit, e kaluara kriminale, ndërsa si rrethanë lehtësuese ka paraqitur se të pandehurit janë familjar dhe kanë pasur sjellje korrekte në gjatë procedurës paraprake.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës ndryshimin e masës nga paraburgim në arrest shtëpiak për Mehmetin, ndërsa vazhdimin e arrestit shtëpiak për Marevcin.