
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 të dyshuarve të arrestuar në një operacion të madh kundër drogës, ku ka goditur një rrjet kriminal.
Në dosjen të cilën ka parë Gazeta Insajderi, në arsyetimin e Prokurorisë Speciale që të lihen në paraburgim të dyshuarit thuhet se ekziston rreziku i arratisjes, për faktin se disa të dyshuar ndryshonin identitetet e tyre që t’ju shmangeshin fletarresteve ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Ragip Bislimin, Abedin Gjakovën dhe Roland Beqirin, të cilët dyshohet ta kenë kryer një veprim të tillë.
“Arsyeja e arratisjes gjen mbështetje edhe në faktin se një pjesë e të pandehurve kanë ndërruar identitet apo edhe kanë marrë identitet të rreme si që është i pandehuri Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Roland Beqiri, krejt kjo me qëllim që të ju shmangen identifikimit nëpër pikat kufitare dhe për të ju shmangur fletarresteve të mundshme që mund të kenë nëpër shtete të tjera”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Prokurorisë.
Prokuroria Speciale bën të ditur se veprat penale të cilat kanë kryer të dyshuarit janë të natyrës së rëndë, për çka mund të rrezikojnë më së paku shtatë vite burgim.
“Po ashtu rrezikut të arratisjes i shtohet edhe fakti që tani mundësia për të udhëtuar jashtë Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian është shumë e lehtë pas liberalizimit të vizave, e veçanërisht arratisja-fshehja në shtetet që nuk bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës, në këtë rast shteti i Serbisë dhe ky fakt do të na sjellë në një situatë që ta kemi të pamundur për ta siguruar prezencën e të pandehurve në procedurë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për 22 të dyshuarit.
Dosja e të dyshuarve
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se 22 të dyshuarit vepronin si grup kriminal. Ata porosinin substanca narkotike të llojit: kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia. Destinacioni ishte Kosova.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porosit e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikut, të njëjtën përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë se Veriut e sjellin në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Siç thotë Prokuroria, për ta shtuar sasinë e narkotikut, të dyshuarit e përziejnë me sodë buke dhe përzierës të tjerë dhe e transportojnë për në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Një sasi tjetër e shesin në Kosovë.
Në dosje thuhet se të dyshuarit s’kursejnë asnjë formë për ta mundësuar transportimin e drogës jashtë shtetit.
“Të pandehurit nuk kursejnë asnjë mjet për të ja arritur qëllimit, qoftë duke korruptuar zyrtarë shtetërorë, e në raste të caktuara edhe duke eliminuar fizikisht ndonjë anëtar të grupit nëse i njëjti nuk vepron sipas udhëzimeve të grupit të organizuar kriminal”, thuhet ndër të tjera.
Gazeta Insajderi ka siguruar ekskluzivisht emrat e të arrestuarve në këtë operacion:
Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigrani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajic. /Insajderi.org/