Policia e Kosovës ka njoftuar për shkatërrimin e një laboratori droge në kryeqytet, që prodhonte substanca narkotike të llojit kokainë dhe heroinë. Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen që dëshmon se si të dyshuarit po kryenin punët për përpunimeve e dy llojeve të substancave narkotike.
Operacioni për shkatërrimin e laboratorit të drogës është udhëhequr nga Bashkim Zeqaj, Shef i Departamentit të Krimeve të Rënda, pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton Insajderi.
Ai bëri të ditur dje se gjatë kontrollit është gjetur një sasi droge e llojeve heroinë dhe kokainë dhe mjete pune për përpunimin e substancave narkotike, si dhe një sasi droge në gjendje të ngurtë prej rreth 7 kilogramë.
“Dy persona janë arrestuar, këto preparate janë shumë të rrezikshme dhe ndodhet në një vend që ka shumë banorë. Kemi gjetur edhe mjete përcjellëse që kanë shërbyer për përpunimin e lëndëve narkotike”, deklaroi Zeqaj.
Si funksiononte grupi që përpunonte kokainën dhe heroinën?
Siç kupton Insajderi, të arrestuarit për këtë rast janë: Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi.
Xhemajli dhe Gashi dyshohet se në bashkëkryerje kishin një objekt në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë të mbyllur me dru ku kishin mjetet e përpunimit të laboratorit të drogës.
“…Kanë hapur derën e hyrjes e cila ishte e mbyllur me dry, nga aty kanë filluar t’i nxjerrin mjetet e punës, pajisjet te cilat kanë shërbyer për procedura të punës në Laboratorin e drogës, ku fillimisht është vërejtur nga aty ata kanë nxjerrë një elektromotor apo Mikser të madh të cilin e kane futur ne automjetin Volksvagen Caddy, ngjyrë hiri e me pastaj kanë e vazhduar që nga lokali/ Laboratori të nxjerrin edhe pajisje tjera si Boce e madhe gazi si dhe pako me materie te dyshuar, ne këtë moment kane ndërhyrë hetuesit e SQHN-DHTN , duke i kapur ne flagrance të pandehurit Hasan Xhemajli dhe Kadri Gashi”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve. /Insajderi.org/