Krimi për të cilin u paraburgosen 10 kosovare, sipas Prokurorisë funksionon kryesisht online. Por, kur vije ouna tek mbledhja e parave, pastaj implikohet një grup i madh njerëzish nga Kosova e Shqipëria. Insajderi sjell detajet
Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona për shkak të dyshimit se personat e dyshuar kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Gjatë aksionit Policia ka sekuestruar para të gatshme, aparatet e lojërave të fatit, telefona mobilë, kompjuterë, DVR si dhe materiale/dokumente relevante për rastin.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë emrat e të arrestuarve të dyshuar për bixhoz të jashtëligjshëm.
Ata janë: Benjamin Gorani, Riad Haziri, Mirzantim Berani, Altin Krasniqi, Çlirim Nimonaj, Liridon Beqiri, Ronald Dedinca, Artan Masrekaj, Erion Alimetaj dhe Faton Nura.
Në dosjen e siguruar nga Insajderi thuhet se për personat e lartëcekur ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2022-2023 në bashkëveprim edhe me qytetar të tjerë nga Republika e Shqipërisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore merren apo ndihmojnë në organizimin e veprimtarive të skemave piramidale, organizmin e skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Sipas dosjes, kjo veprimtari është kryer përmes sistemit online në disa faqe. Në anën tjetër, qytetarët nga Shqipëria janë marrë me mirëmbajtjen e faqes online duke fituar 5% nga shuma e fituar. Paratë e fituara të njëjtit kanë ardhur për ti marrë në Kosovë, por me raste ato edhe iu janë dërguar nga Kosova, me transfer online.
Pas hetimeve që kishte, Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.
“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 184 të KPPRK, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, e kjo vërtetohet nga provat materiale që janë siguruar gjatë zbatimit të masave të fshehta, por edhe provat materiale që jenë siguruar gjatë kontrollit sipas urdhëresës se GJPP-së këtë janë prova të mjaftueshme nga te cilat vërtetohet se në verimet e të pandehurve manifestohen elementet e veprës penale për te cilën ndaj të njëjtave janë duke u zbatuar hetimet që janë gjetur në banesë, janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit janë kryerës te veprave penale të sipërcituar”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.
Prova të mjaftueshme janë gjetur edhe në banesat e tyre por edhe në telefonat e sekuestruar nga policia ku të njëjtit kishin të instaluara lojëra të fatit.
“Por se te pandehurit janë marre me veprimtari të kundërligjshme vërtetohet edhe nga vetë deklarata e të pandehurve të dhëne me dt. 05.04.2023, ne Policën e Kosovës si dhe nga provat materiale si celularet e sekuestruar nga Policia e Kosovës, ku kanë qenë të instaluara lojërat e fatit dhe të njëjtit kane menaxhuar me to”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.
Mes tjerash, në dosje thuhet se përveç të pandehurit Benjamin Gorani dhe Mirzantin Berani, të gjithë të pandehurit tjerë e kanë pranuar veprën penale që iu vihet në barrë dhe se gjithashtu kanë pranuar se kanë bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë./Gazeta Insajderi