×
  • Lajme
  • Analiza

    Drama në Dragash mes PDK e LDK: PZAP-ja zbulon skemën se si u bë votimi nga diaspora (Dokument)

    Insajderi
    21 November 2021 - 19:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi që të anulojë votat nga diaspora në Komunën e Dragashit, vota këto që ishin vendimtare në rezultatin përfundimtar mes PDK-së dhe LDK-së, duke sjellë reagime të forta nga të dyja subjekte, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në rezultatin e rregullt të raundit të balotazhit në komunën e Dragashit, Partia Demokratike e Kosovës mori 47 vota më shumë sesa LDK.

    Por, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës, LDK doli në epërsi të ngushtë, duke qenë se kandidati Bexhet Xheladini (LDK), mori 244 vota nga diaspora, derisa ai i PDK-së vetëm 54 vota.

    Dallimi i madh në vota të diasporës që solli përmbysjen e rezultati, bëri që PDK të parashtroi ankesë në PZAP, me pretendimin se shumica  e votave me postë që erdhën për Komunën e Dragashit, ishin vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme.

    Image

    Kërkesa e PDK-së për anulim të plotë të votave të diasporës, u miratua e plotë nga PZAP, duke bërë që edhe njëherë të ndryshonte fituesi i zgjedhjeve në Dragash, nga Bexhet Xheladini (LDK) tek Shaban Shabani (PDK).

    Në dokumentet e publikuara nga PAZP, tregohen arsyet në bazë të cilave u anuluan plotësisht votat e diasporës, duke vlerësuar se procesi është dëmtuar deri në atë masë sa ka devijuar vullnetin e shprehur nga qytetarët.

    Në dokumentin e PZAP, përmenden raste të veçanta në të cilat qytetarët e regjistruar në një shtet në formularin e regjistrimit të votimit, dërguan pakot me vota nga një shtet tjetër.

    Arsyetimi i PAZP

    Njëzetëekatër votues të Komunës së Dragashit, që kanë dërguar pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilët në periudhën e aplikimit, si vendbanim në formularin e regjistrimit kanë dhënë shtete të ndryshme, nuk i kanë dërguar pakot me fletëvotime nga ato shtete.

    Dhjetë prej këtyre votueseve që kanë dërguar pako me fletëvotime nga Austria, në formularët e regjistrimit e kanë deklaruar si vendbanim shtetin e Italisë.

    Gjashtë votues, të cilët i kanë dërguar pakot me fletëvotime nga shteti i Austrisë, në formularët e aplikimit e kanë deklaruar si vendbanim shtetin e Gjermanisë.

    Një votues ka dërguar pako me fletëvotime nga Gjermania, ndërsa në formularin e aplikimit për regjistrim e ka deklaruar shtetin e Zvicrës.

    Dy votues kanë dërguar pako me fletëvotime nga Austria, ndërsa në formularët e regjistrimit kishin deklaruar si vendbanim shtetin e Çekisë.

    No description available.
    No description available.

    Lidhje Demokratike e Kosovës dorëzoi ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme, duke thënë se  PZAP po tenton të ndryshojë vullnetin e qytetarëve.

    “Siç jeni të informuar sot KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtarë për kryetarë të komunave në balotazhin e 14 nëntorit . Mirëpo në këto rezultate nuk figuron edhe Dragashi, andaj sot LDK ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin skandaloz të PZAP-së dhe tre gjyqtareve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetarë të mërgatës së Dragashit”, tha Halimi.

    Halimi shtoi se këto vota janë verifikuar e certifikuar në dy runde, ku ishin verifikuar si të rregullta.

    “Kujtojmë se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të rezultateve në rundin e parë nga KQZ. Ato ishin verifikuar, hapur, numëruar e pranuar si të rregullta nga KQZ edhe në rundin e dytë. Anulimi i tyre është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë” deklaroi Halimi.

    Ndërkohë, Faton Fetahu, avokat i PDK-së, deklaroi se vendimi i PZAP-së solli drejtësi për qytetarët e Dragashit.

    “PZAP ka konstatuar si të bazuara argumentet që kemi ngritur për sa i përket organizimit, orkestrimit dhe manipulimit të vullnetit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendi, duke e devijuar kështu edhe vullnetin e rreth 12.000 votuesve, të cilët në mënyrë të lirë dhe demokratike shprehen vullnetin e tyre politik më 14 nëntor” – deklaroi ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark