Kryetari i komisionit të Kuvendit serb për Kosovë, Millovan Drecun ka deklaruar sot për televizionin serb RTS se urimet e presidentit Amerikan Joseph Biden dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetit, “ishin të papërshtatshme në pjesën që lidhet me njohjen e Kosovës”.
“Kur dikush ju dërgon një urim për Ditën e Shtetit dhe kërkon që ju të njihni (si të pavarur) një pjesë të territorit tuaj, sigurisht që është një lloj provokimi dhe është i papërshtatshëm”, pretendon Drecun.
Ai pretendon se “të gjithë ata që mbështeten në ndonjë lloj presioni, gabimisht kanë llogaritur”.
“Ne duhet ta pyesim Lajçakun pse ai nuk reagon ndaj kësaj. Serbisë i kërkohet të godasë veten dhe për këtë duhet të reagohet shumë ashpër”, ankohet Drecun.
Ai thotë se një pjesë e urimeve është presion shumë i fortë. “Ne ende nuk e dimë për çfarë lloj presioni është duke përgatitur Biden dhe kjo është arsyeja pse është e nevojshme të përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie të mira me SHBA përmes një diplomacie intensive”, ka thënë Drecun./Insajderi.org.