Kryetari i Komisionit Parlamentar serb për Kosovë, Millovan Drecun, ka deklaruar sot se “është pikëpyetje se a do të reagojë Prishtina në lidhje me paralajmërimin e Brukselit për obligimin për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të thotë se duhet të hiqet dorë nga formimi i tij”.
Drecun ka thënë për RTS se ky mesazh nga Brukseli “është një përpjekje për t’u përgatitur për vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të shmangur një pengesë kryesore në atë rrugë, dhe kjo është formimi i AKS”.
Drecun tha se “Serbia nuk pajtohet me qëndrimet e emisarit special të BE për dialog, Mirosllav Lajçak”.
“Mirosllav Lajçak po përpiqet të imponojë një metodologji të re bisedimesh, e cila është se për asgjë nuk ka pajtim derisa nuk ka pajtim për gjithçka, që do të thotë se çështjet që tashmë janë zgjidhur, të tilla si Asociacioni, të lihen anash derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ajo marrëveshje përfundimtare duhet të zgjidhë këto çështje”, ka thënë Drecun.
Ai ka theksuar se gjithçka që po ndodh me marrëveshjen e Brukselit ndikon drejtpërdrejt në Kapitullin 35 në negociatat e Serbisë me BE. “Nga sjellja e deritanishme e Prishtinës, ne shohim se ajo në të vërtetë nuk do të formojë Asociacionin dhe ky është problemi kryesor. Ne kemi bërë shumë të qartë, nuk ka përparim në bisedime derisa të formohet AKS dhe ne nuk do të pranojmë që Lajçak të na imponojë këtë qëndrim se për asgjë nuk ka pajtim derisa nuk ka pajtim për gjithçka”, pretendon Drecun./Insajderi.org.