ARDIT DRAGUSHA
Në fillim të vitit 2002, saktësisht më 29 janar, rreth orës 21:30 në Gjilan ndodhi një akt i rëndë kriminal. Katër persona të maskuar hynë në shtëpinë e Avdullah Muratit, ku ndodheshin tre fëmijët e familjes, më i madh nga të cilët ishte vetëm 13 vjet, dhe nën kërcënimin e tytave të armëve u plaçkitën mbi 280 mijë marka si dhe një sasi ari në vlerë prej 2 mijë marka, shkruan Gazeta Insajderi.
Kur kanë kaluar mbi 19 vjet nga kjo ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Gjilanit, drejtësia ende nuk është vënë në vend.
Maksima juridike “Drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar”, rrezikon shumë që të merr kuptimin literal të fjalës, pasi tashmë kanë mbetur vetëm edhe katër muaj para se kjo lëndë të parashkruhet.
19 vite, 8 muaj dhe katër ditë nuk i mjaftuan drejtësisë kosovare që të ndëshkojë fajtorët.
Si ndodhi krimi ku u plaçkitën mbi 280 mijë marka për të cilin nuk u dënua askush?
Sipas aktakuzës së atëhershme të Prokurorisë së Qarkut në Gjilani, Florim Gashi, në shoqëri me Arsim Ismailin dhe dy persona të tjerë, më 29 janar 2002, rreth orës 09:30, në lagjen “Dardania II”, me dashje dhe paramendim kanë kryer vjedhje grabitqare në shtëpinë e Avdullah Muratit, ku të njëjtit janë armatosur dhe janë maskuar, duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve të rritur të familjes Murati, të cilët më parë ishin larguar nga shtëpia nën udhëzimin e Valdete Berisha (motra e gruas së Avdullah Muratit), e cila poashtu i kishte njoftuar të akuzuarit se në shtëpi ndodheshin vetëm tre persona të mitur.
Në vazhdim aktakuza thotë se të akuzuarit kanë hyrë brenda në dhomë ku kanë qenë fëmijët e të dëmtuarve dhe të njëjtit i kanë kërcënuar fëmijët duke u thënë që të mos lëvizin dhe të mos bërtasin, dhe nga kanapeja kanë marrë çantën me të holla në të cilën kanë qenë 280 mijë marka gjermane dhe një sasi ari në vlerë prej 2 mijë marka.
Dështimi i parë i drejtësisë, ngritja e aktakuzës dhe “harresa” e një të akuzuari
Dyshimet e para ishin tek motra e gruas së të dëmtuarit, Valdete Berisha, e cila ishte në dijeni për shumën dhe vendndodhjen e parave, si dhe në atë kohë ishte mysafire në shtëpinë e të dëmtuarit, ku kishte insistuar që motra e saj që njëherit është bashkëshortja e të dëmtuarit, të vizitonte nënën e burrit të saj, duke bërë që shtëpia të mbetej pa persona të rritur në të.
“I kam njoftuar ata për sasinë e të hollave dhe vendin ku i mban Avdullahu. Unë iu jam përgjegjur se kjo nuk është me rëndësi se për këtë të gjithë e dinë se ku i mban të hollat (i dëmtuari Avdullahu) – pjesë nga deklarata e të akuzuarës Valdete Berisha, dhënë gjyqtarit hetues.
Prokuroria Publike e Qarkut të Gjilanit me 16 maj të vitit 2002, ngriti aktakuzë ndaj Florim Gashit, Arsim Ismailit dhe Valdete Berishës, duke e klasifikuar veprën si vjedhje grabitqare, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal në fuqi të Kosovës, konkretisht nenit 316, parasheh dënim nga 3 deri në 10 vjet.
Aktpadia e parë, të cilën Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë, përmban gabime shumë të mëdha juridike, logjike dhe drejtshkimore, të cilat kanë ndikuar në masë të madhe që ky rast të mos ketë verdikt final.
Sipas avokatit të dëmtuarit, Veton Rrecaj, cilësimi i veprës nga ana e ish Prokurorisë së Qarkut të Gjilanit ishte e gabuar dhe jo e drejtë, pasi veprimi i të akuzuarëve nuk i përkiste kategorisë së “raste të rënda të vjedhjeve dhe grabitjeve” nga nenin 138. i ish LPK-së, por të akuzuarit kishin konsumuar veprën penale “Grabitje me armë në bashkëkryrje”.
Prokuroria harroi të akuzuarin për plaçkitje të 280 mijë markave, nuk e përfshiu në aktakuzë
Sipas raportit shtesë nga Njësia e Hetimeve Regjionale, sektori i Krimeve të Rënda, për veprën e “Plaçiktjes me armë dhe maska”, të dyshuar ishin Arsim Ismajli, Florim Gashi, Valdete Berisha dhe Xhavit Zulufaj.
I dyshuari, Xhavit Zulufaj, nuk është përfshirë fare në aktakuzën e përgatitur nga zv. Prokurori Publik i Qarkut të Gjilanit, ndonëse ai ishte identifikuar nga hetuesi Enver Mustafa, ku në raportin e tij të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhej se Zulufaj ishte zbuluar pas 8 muajve se kishte qenë pjesëmarrës në plaçkitje, dhe këtë përmes telefonit ia kishte pranuar babait të tij.
Verdikti i parë, më shumë pyetje sesa përgjegjie
Gjykata e Qarkut në Gjilan, në fund të vitit 2002, nxori aktgjykim me të cilin e dënoi njërin nga të akuzuarit, Arsim Ismailin, me 5 vite burgim, ndërkohë dy të akuzuarit e tjerë, Florim Gashi dhe Valdete Berisha, i liroi nga aktakuza me arsyetimin se nuk kishte prova që ata kanë qenë pjesëmarrës në plaçkitjen e 29 shkurtit në familjen e Avdullah Muratit.
Gjykata poashtu konkludoi se nga të akuzuarit, për të cilët ishte vërtetuar përmes thirrjeve të telefonit se kishin komunikuar atë natë, vetëm Arsim Ismaili ishte fajtor për plaçkitjen e katër personave, por që edhe ai nuk ishte “shumë fajtor” pasi sipas aktgjykimit “ai nuk kishte përdorur forcë dhe as nuk u ishte kanosur fëmijëve” për të ua marrë çantën me të holla nga kanapeja.
Hedhja poshtë e aktgjykimit të parë – shkelja e ligjit në favor të akuzuarit
Gjykata Supreme kishte pranuar si të bazuar ankesën e Prokurorit Publik të Gjilanit, dhe me aktvendim kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, i cili dënonte vetëm një person për plaçkitjen e 29 janarit të vitit 2002.
Lënda ishte kthyer Gjykatës së Shkallës së Parë, por një tjetër trupi gjykues, për rigjykim.
Gjykata e Qarkut të Gjilanit, në aktgjykimin e parë kishte marrur vendim duke mos marrë fare në konsideratë procesverbalet e deklaratave të dhëna në procedurën hetimore, duke dhënë njërin nga aktgjykimet më të çuditshme në histori të drejtësisë së Kosovës.
Dëmtimi i dyfishtë dhe rreziku për parashkrim
Avokati i palës së dëmtuar, Veton Rrecaj, në një bisedën për Gazetën Insajderi e cilësoi këtë rast si një rekord të zi për drejtësinë kosovare, si dhe një dëmtim të dyfishtë të klientit që ai përfaqësonte, së pari nga të akuzuarit për dëmin e madh financiar të cilën ata i kishin shkaktuar me 29 janar të vitit 2001, dhe nga drejtësia kosovare e cila për 19 vite nuk arriti që t’i dënonte fajtorët.
“Është një rast juridiko penal shumë i vjetër, besoj se është ndonjë rekord i zi për drejtësinë vendore pasi as rastet e vrasjes nuk marrin 20 vite për t’u zgjidhur. Konsideroj se klienti im është dy herë i dëmtuar, fillimisht nga veprimet e të akuzuarve, dhe së dyti nga mosefikasitetit të sistemit të drejtësisë. Prokuroria ka bërë klasifikim të gabuar pasi kemi të bëjmë me veprën penale grabitje me armë ashtu siç është theksuar në raportet e Policisë. Poashtu ekziston një i dyshuar tjetër, i cili përmendet në raportin e hetuesit por çuditërisht i njëjti nuk përmendet në aktakuzë. Ne kemi nisur një kërkesë për ricilësim të veprës penale dhe informim lidhur me veprimet procedurale nga ana e prokurorisë ndaj të dyshuarit Xhavit Zulufaj, i cili nuk përmendet fare në aktakuzë” – deklaroi Rrecaj për Gazetën Insajderi.
Mbi 280 mijë marka të plaçkituara nën kërcënimin e armëve, katër të akuzuar dhe asnjë i dënuar është bilanci i drejtësisë kosovare që ka 19 vite, apo shprehur ndryshe 7 mijë e 187 ditë që merret me këtë çështje.
Në rast se nuk bëhet rikualifikim i veprës penale, kjo çështje ka rrezik të madh të parashkruhet në janar të vitit të ardhshëm, duke bërë një dëm të dyfishtë. Fillimisht si një vepër e rëndë kriminale që kalon e pandëshkuar, me familjarët e dëmtuar që kërkuan drejtësi për dy dekada, dhe së dyti si një precedent për kriminelët që e shohin se në Kosovë, mund të kalojnë pa u ndëshkuar edhe veprat më të rënda kriminale nga neglizhenca e sistemit të drejtësisë. /Insajderi.org/