
Kenan Gashi, drejtues i rrjetit të organizatave joqeveritare AVONET, ka reaguar ashpër pas ngjarjes tragjike në Lipjan, ku një i ri ndërroi jetë në duart e Policisë së Kosovës.
Sipas Gashit, dorëheqja e komandantit të stacionit në Lipjan është një akt etik dhe solidar, por nuk mjafton. Ai thekson se përgjegjësia kryesore për menaxhimin, profesionalizmin dhe funksionimin e duhur të Policisë në rajonin e Prishtinës i takon Drejtorit Rajonal, Basri Shabanit, dhe nëse ky i fundit nuk merr përgjegjësi, atëherë duhet të ndërhyjë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“A duhet të pritet presioni publik dhe kërkesat qytetare që ai të japë dorëheqje apo të shkarkohet?”, pyet Gashi në deklaratën e tij, duke shtuar se nëse nuk ndërmerren masa, atëherë është e qartë dhe e pastër si loti se ku qëndron papërgjegjshmëria institucionale.
Ai paralajmëron se nëse nuk ka lëvizje nga drejtuesit policorë, shoqëria civile do të ndërmarrë veprime demokratike për ta shndërruar këtë çështje në një prioritet publik, pasi rikthimi i besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës është jetik dhe i pazëvendësueshëm.
“Prej vitesh kemi kontribuar në ndërtimin e këtij besimi. Veprimet ose mungesa e veprimeve nga ana e Drejtorit Rajonal e vënë këtë besim në rrezik serioz”, përfundon deklaratën e tij Kenan Gashi.