Drejtori i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Pajtim Balaj është përkujdesur që në listën e përfituesve të granteve të drejtorisë që e udhëheq ai, ta fus edhe shkollën e kitares, ku bashkëthemelues është babi i tij, Nexhmi Balajt.
Nexhmi Balaj, në qeverisjen e Agim Veliut për disa mandate kishte qenë drejtor i Kulturës, drejtorisë që sot e udhëheqet nga djali i tij Pajtimi.
Shkolla e Kitarës “Mirela”, është pjesë e listës preleminare të fituesve të granteve të Komunës, ku bashkë themelues është babi i drejtorit të Kulturës, Nexhmi Balaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Ky vendim është bërë publik me 29 qeshor, nga vet Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Shkolla e Kitares “Mirela”, ka fituar grant në projektin festivali ndërkombëtare “Koncertet verore për mërgimtarët”.
Ish-drejtori i Kulturës në qeverisjen e LDK-së, Nexhmi Balaj del të jetë njëri nga thememluesit e Shkollës së Kitares “Mirela” në Podujevë, së bashku me dy ortak të tij Ymer Musa dhe Anjesa Musa. Kjo dëshmohet edhe përmes regjistrit të Oranizatave Joqeveritare, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas përshkrimit në sistemin elektronik të Organizatave, Shkolla e Kitares “Mirela” ka për qëllim ngritja e nivelit kulturor të rinisë Llapjane dhe Kosovare në përgjithësi në lëmin e muzikës.
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me drejtorin Balaj për ta pyetur për këtë çështje, i njëjti ka deklaruar se nuk e di që babai i tij është bashkthemelues në Shkollën e Kitares Mirela.
“Baba jem nuk ka të bëjë me të, ka vite e vite që jo prej Mirelës, por është i shkëputur prej çdo aktiviteti kulturor dhe poliktik. Ka 10 vite që baba jem është i pensionuar prej gjithçkaje. Ymer Mursa është njeri i vetëm i cili e drejton dhe punon. Unë sot prej jush e mora vesh që baba jem qenka bashkëthemelues”.
“Nexhmi Balaj nuk ka të bëjë jo vetëm me Mirelën por me asnjë shkollë tjetër, nuk e di qysh është përfshirë në bashkëthemelim. Se qysh babai ime është përfshirë si thememlues është mirë të qartësohet me drejtorin Imer Musën. Në dokumentacionin që neve na vjen shkruan emri i aplikuesit që është emri i organizatës, tituli i projektit dhe drejtuesi i saj”, tha Balaj.
Por, në njoftimin e komunës përveç listës me emrat e përfituesve nuk janë dhënë detaje tjera se për cilën periudhë dhe sa para janë ndarë për këto organizata.
Zëdhënësi i komunës së Podujevë, Fatri Zhitia, në një përgjigje pë Gazetën Insajderi, tha se detaje për ndarjen e granteve për OJQ-të do të bëhen në ditët në vazhdim.
“Kjo është vetëm lista preliminare e fituesve, lista përfundimtare me detajet e mjeteve që do t’i ndahen secilës OJQ do të bëhet publike ditën në vijim. Zakonisht nuk ka ndryshim nga lista preliminare me atë përfundimtare”, tha Zhitia për Insajderin.
Skandalet në Drejtorine Kulturës në Podujevë ishin raportuar edhe më herë, ku një piano e dhuruar si donacion kishte përfunduar në shtëpinë e Nexhmi Balajt.
Gjatë vitit 2014 një piano i ishte dhuruar si donacion shkollës “Shefki Kuleta”, në fshatin Tërrnavë.
Këtë instrument muzikor e kishte kërkuar ish-drejtori i Kulturës gjatë asaj kohe, Nexhmi Balaj, që ta shfrytëzonte për një manifestim në kuadër të drejtorisë që drejtonte gjatë kohës sa ishte në pushtet.
Pas përfundimit të këtij manifestimi, kjo piano nuk ishte kthyer në shkollën ku edhe ishte marrë./Gazeta Insajderi/