×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret për atentatin ndaj Trumpit: Ndjeva turp nga ajo që pashë

    Insajderi
    30 July 2024 - 23:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ronald Rowe, drejtori në detyrë i agjencisë së Shërbimit Sekret amerikan dhe nëndrejtori i FBI-së, Paul Abbate, po dëshmojnë në një seancë të përbashkët të dy komisioneve të Senatit mbi atentatin ndaj ish Presidentit Trump. Në qendër të interesit të senatorëve janë mangësitë e masave të sigurisë në orët para atentatit.

    Rowe tha se ai e konsideronte “të pajustifikueshme” mungesën e agjentëve të sigurisë në çatinë nga ku sulmuesi qëlloi në drejtim të ish-Presidentit Trump. Ai tha se kishte qenë së fundmi në vendngjarje në Batlër të Pensilvanisë, raporton Zëri i Amerikës.

    “Ndjeva turp nga ajo që pashë. Si oficer karriere dhe punonjës prej 25 vjetësh i Shërbimit Sekret nuk mund të kuptoj se përse në atë çati nuk kishte agjentë”, u shpreh ai.

    Rowe po ashtu fajësoi autoritetet lokale që nuk kishin ndarë me autoritetet federale të dhëna që ai i cilësoi si jetike.

    Sipas tij, ata nuk kishin ndarë informacionin se një person i armatosur, ishte pikasur mbi një çati pranë vendit të tubimit disa minuta para se sa të ndodhte sulmi i 13 korrikut.

    “Oficerët lokalë nuk e ndanë këtë informacion, e mbajtën të izoluar një të dhënë të tillë”, tha ai. “Për mua është shumë shqetësuese që nuk e morëm këtë informacion aq shpejt sa duhej. Ne nuk e dinim se po ndodhte një incident”, tha ai.

    Ndërkohë, nën-drejtori i FBI-së Paul Abbate tha se profili në median sociale që besohet se i përket autorit Thomas Matthew Crook tregon se ai përkrahte dhunën politike dhe përmbajtje anti-semite dhe kundër emigracionit.

    Postimet ishin bërë në vitet 2019 dhe 2020 periudhë që ai ka qenë në shkollë të mesme.

    “Nga ky profil janë bërë më shumë se 700 komente”, tha ai. “Disa komente pasqyrojnë përmbajtje anti-semite dhe kundër emigracionit dhe përkrahin dhunën politike”.

    Ish-drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen javën e kaluar pas kritikave të shumta të ligjvënësve.

    FBI-ja bërë dje të ditura hollësi të reja nga hetimet për motivin e sulmit të 20 vjeçarit Thomas Matthew Crook. Sipas autoriteteve ai kishte kërkuar në internet për informacione lidhur me të shtënat në masë, për centrale elektrike, për mjete shpërthyese të improvizuara si edhe për përpjekjen për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë në muajin maj.

    FBI-ja njoftoi se Trump, ka pranuar të merret në pyetje nga agjentët e saj në rolin e viktimës së krimit. Zyra e FBI-së tha javën e kaluar se ish – Presidenti u godit në vesh nga një plumb apo një pjesë e tij, gjatë përpjekjes për ta vrarë, në 13 korrik, gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë.

    Trumpi njoftoi dje se pret që marrja në pyetje të kryhet të enjten.

    Ligjvënësit duan të marrin përgjigje nga drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, se si është e mundur që atentatori Crooks ishte në gjendje t’i afrohej aq shumë Trumpit.

    Hetuesit besojnë se ai qëlloi 8 herë në drejtim të Trumpit me një armë gjysmë automatike e llojit AR-15, e ngjashme me kallashikovin, nga çatia e një ndërtese në një distancë prej 135 metrash nga podiumi ku po mbante fjalën e tij Trumpi.

    Një nga pjesëmarrësit në tubim mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën. Autori i ngjarjes u qëllua për vdekje me snajper nga një agjent i Shërbimit Sekret.

    Gjatë seancës së javës së shkuar, ish drejtorja Cheatle tha se Shërbimi Sekret kishte dështuar në misionin për mbrojtjen e Trumpit.

    Ajo e cilësoi përpjekjen për vrasjen e tij se “dështimin më të rëndë” të Shërbimit Sekret për dekada të tëra dhe u zotua se të bënte gjithçka për të zbuluar se çfarë shkoi keq dhe për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos përsëritej më.

    Ajo pranoi se Shërbimi Sekret ishin njoftuar nga dy deri në 5 herë mbi një person të dyshimtë përpara se të ndodhte sulmi në tubim. Po ashtu ajo tha se çatia nga ku hapi zjarr autori ishte identifikuar si një pozicion i mundshëm disa ditë përpara se të mbahej takimi zgjedhor.

    Ajo tha se i kishte kërkuar ndjesë Trumpit gjatë një telefonate pas atentatit ndaj tij.

    Të hënën, në një intervistë për rrjetin Fox News, Trump doli në përkrahje të agjentëve të Shërbimit Sekret që e mbrojtjen atë pas atentatit, por tha se mbi çatinë nga ku qëlloi Crooks duhej të kishte patur agjentë dhe se duhet të kishte patur komunikim më të mirë me policinë lokale.

    Ai vlerësoi lart agjentin që qëlloi me snajper autorin, por vuri në dukje se “do të kishte qenë më mirë nëse do ta kishte qëlluar 9 sekonda më herët”.

    Lidhur me përpjekjen për vrasjen e Trumpit po kryhen një sërë hetimesh, nga komisione të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe një grup i posaçëm dypartiak i ngritur nga kryetari republikan Dhomës së Përfaqësuesve dhe udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries. /VOA

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    25 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark