BQK-ja në një dokument që e ka siguruar Insajderi iu ka thënë që në rastin e Shefik Gërbovcit, që tash është u.d. Drejtor i BKS-së ka konflikt interesi. Pavarësisht kësaj, edhe pas një konkursi, Asambleja e Byrosë ka renditur të parin emrin e njëjtë. Vite më parë, kur BQK-ja i hyri kontroll këtij institucioni u detyrua që dikë ta përjashtoi krejt nga industria e shumicën e drejtorëve të kompanive të sigurimeve ti qes në para-përjashtim. A po rrezikojnë të njëjtën masë edhe me veprimet e fundit, pavarësisht paralajmërimeve të BQK-së?
Visar Duriqi
Ishte qershori i vitit të kaluar kur Gazeta Insajderi kishte raportuar se si Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), institucion i themeluar me ligj dhe i mbikëqyrur nga Banka Qendrore e Kosovës zhodhi një drejtor që do të detyrohej të tërhiqej nga vendimi.
Gazeta Insajderi pati raportuar për këtë zhvillim, dhe zhvillime te tjera që i ka përcjellë brenda këtij institucioni.
Fill pas raportimit të Insajderit, ku bëhej me dije se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Byrosë, Shefik Gërbovci, duke qenë në këtë pozitë në BKS u bë një konkurs jo-publik ku bash ky person u zgjodh, do të hynte në lojë BQK-ja.
Pas një serie raportimesh, BQK-ja dhe Byroja megjithatë morën vendim që konkursi tash të ishte publik.
E, zgjedhja e Shefik Gërbovcit, sipas një dokumenti të brendshëm BQK/BKS që e ka siguruar Gazeta Insajderi, nga Vet BQK-ja ishte parë si konflikt interesi.
Në korrik të vitit të kaluar, Zëvendësguvernatori, Milot Cakaj do ti shkruantë BKS-së për këtë situatë.
“Në këtë kuptim, (BQK) kërkon nga organet përkatëse të BKS-së, që të ri-shqyrtohet procesi i zgjedhjes dhe të ri-përsëritet procesi nga fillimi, në pajtim me parimet e lartpërmendura, përmes një procesi transparent dhe me konkurrueshmeri të mjaftueshme. Me rastin e procesit të përzgjedhjes, të sigurohet se evitohet konflikti i interesit, dhe të përfaqëson në mënyrë sa më të unifikuar qëndrimin e organeve përkatëse të BKS-së. Sigurisht, evitimi i konfliktit të interesit duhet të sigurohet në ędo fazë nga ędo drejtues, edhe gjatë ushtrimit të detyrës nga drejtori ekzekutiv, që të mos vjen ne shprehje një situatë e tillë”, thuhet në këtë dokument që e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Konkursi u shpall publik, por a ka arritur Byroja që ta shmang konfliktin e interesit, sic i ka kërkuar BQK-ja që e mbikëqyr?
Gazeta Insajderi merr vesh që procesi i zgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë tashmë është në fazë finale, pasi që edhe kompania e jashtme e angazhuar për rekrutim në këtë pozitë, ka ardhur në tre emra që janë dërguar para organeve të BKS-së, siç është Asambleja e këtij institucioni.
Shefik Gerdoci, Haki Nuza e Valdet Drenovci janë tre emrat që kanë shkuar para Asamblesë së Byrosë.
I pari në listë është bash personi për të cilin BQK-ja kishte vënë në theks konfliktin e interesit, Shefik Gërbovci.
“Përmes kësaj shkrese ju njoftojmë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në pajtim me mandatin e saj, ka shqyrtuar kërkesën e BKS-së të datës 13.06.2024, dhe nisur nga kërkesat e rregullativës dhe praktikat më të mira të qeverisjes korporative, ju përgjigjet si në vijim: Me rastin e shqyrtimit në parim të kërkesës, BQK ka vërejtur se procesi i ndjekur nga ana e strukturave përkatëse të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), nuk ka arritur të plotësojë mjaftueshëm parimin e konkurrencës dhe transparencës, duke qenë se nuk ka pasur njoftim publik për pozitën, nuk është bërë e ditur lista e kandidatëve që janë nënshtruar procesit të vlerësimit preliminar, duke bërë kështu që vetëm me një rreth prej tre (3) kandidatësh, të realizohet procesi i përzgjedhjes”, thuhet në shkresën e mbajtur jashtë domenit publik- komunikimi mes BQK-BKS.
BQK-ja kishte alarmuar Byronë me kohë, pra qysh në korrik 2024, që “…për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv, BQK pret të ndiqet një proces sa më transparent dhe konkurrues, me mundësi të aplikimit të kandidatëve të interesuar dhe me profilin e kërkuar. Kjo përkon me modelin e rekomandueshëm të përzgjedhjes për pozita kyçe, ku përgjegjësia publike dhe përfaqësimi institucional është i nevojshëm. duke përfshirë edhe Këshillin e Byrove, kur Republika e Kosovës të jetë anëtare”, thuhet tuje në këtë letër.
Gazeta Insajderi kishte bërë një seri raportimesh për zhvillimet në Byronë e Sigurimeve, si dhe ka publikuar raportin konfidencial të ekzaminimit, ku ishin gjetur parregullsi e ngritur dyshime serioze, për cka edhe Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Insajderin se një hetim në nivelin së paku të grumbullimit të informacioneve e intervistimeve është në proces e sipër.
Pas këtij ekzaminimi, për mos-zbatim të rregullave që ka caktuar për Byronë shteti, në këtë rast BQK-ja, kjo e fundit kishte nxjerr vendim që ish-drejtorin e BKS-së ta përjashtonte nga tregu i sigurimeve për gjysmë dekade, derisa pjesën më të madhe të drejtorëve të kompanive të sigurimeve ti ndëshkonte me vërejtjen e fundit, që në përkthim praktik i bije që i ka vënë në para-përjashtim komplet nga tregu i sigurimeve.
Derisa BQK-ja me letër të shkruar direkt ka përmendur direkt konfliktin e interesit, në rastin kur pa konkurs publik u zgjodh Shefik Gërbovci, burime të Insajderit brenda BQK-së dhe Byrosë bëjnë me dije se drejtor kompanish të sigurimeve në Asamblenë e Byrosë po rrezikojnë përsëri edhe në konkursin e fundit duke renditur të parin u.d. Drejtorin aktual Ekzekutiv.
Gazeta Insajderi për këtë situatë e ka pyetur edhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, institucion i mandatuar me ligj për të dhënë përfundime për konfliktin e interesit në kuptim të veprës penale dhe jo vetëm, por nga ta ende nuk ka marrë përgjigje.
Insajderi e ka pyetur për konkursin e BKS-së për Drejtor Ekzekutive dhe konfliktin e mundshëm të interesit edhe mbikëqyrësin, BQK-në në këtë rast, dhe Guvernatori Ahmet Ismaili, në veçanti për mundësinë që ndonjë kandidat në garë ta ketë përmendur emrin e tij që të siguroi këtë pozitë.
“Lidhur me pyetjen tuaj për përfolje apo përmendje të emrit të Guvernatorit, ju njoftojmë se Guvernatori nuk është në dijeni të asnjë lloj përmendje apo përfolje të tij në këto procese, dhe nëse pretendohen, janë te paligjshme dhe te palejueshme. Pavarësia e BQK-se dhe personelit të saj, është e mbrojtur me ligj nga çfarëdo ndikimi apo ndërhyrje, ndaj këtë parim e zbaton edhe në raport me institucionet tjera. Askush nuk është udhëzuar për diçka të tillë dhe as nuk do te udhëzohet, sikur që as nuk ka të drejtë të përdor emrin e BQK-së apo drejtuesve të saj në asnjë kontekst as rrethanë> thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Insajderit.
BQK-ja ka shtuar se “mbetet e përkushtuar për transparencë me publikun, si dhe rritje të kualitetit të qeverisjes korporative dhe emërimeve meritore në sektorin financiar, që janë në pajtim me kërkesat e legjislacionit dhe standardet e kërkuara”./Gazeta Insajderi