Xhavit Drenori, kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit ka reaguar pas ndaljes së rrymës elektrike në disa qendra të votimit në Drenas.
Drenori ka shprehur shqetësim duke thënë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot në Drenas, “diçka nuk po shkon”.
“Sot gjatë dite e kishim kontaktuar Drejtorin e rrjetit elektrik në Drenas dhe morëm garanci që rryma nuk do të ndalët në shkollat ku po votohet”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar llogari nga zyrtarët kompetent për mbetjen pa energji elektrike në të paktën dy vendvotime në Drenas.
“Një proces bukur i rregullt zgjedhor rrezikon të dëmtohet në këto minutat e fundit. Kërkohet përgjegjësi nga zyrtarët kompetent për ndalje të rrymës”, është shprehur Drenori.
Siç ka raportuar sot Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ, të paktën dy qendra të votimit në Drenas kishin mbetur pa energji elektrike.
Votimet kanë vazhduar pavarësisht rrymës së munguar. /Insajderi.com