
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka thënë se partia të cilës ai i takon dënon djegien e veturave zyrtare.
Sipas tij, mënyra e duhur e kundërshtimi të pushtetit është përmes protestave popullore.
“Sigurisht që dënojmë këtë akt, duke bërë thirrje që këto akte të mos përsëriten më. Pushteti kundërshtohet me protesta, e ato janë gjithëpërfshirëse. Aktet e tilla janë të dënueshme, dhe kërkojmë që institucionet të veprojnë duke mos lënë hapësirë për etiketim e linçim të askujt,” ka thënë ai.
Çaushi ka reaguar edhe për një deklaratë të analistit Halil Matoshi i cili më herët gjatë ditës e ka thënë se Vetëvendosje mund të qëndrojë pas këtyre akteve.
“Kjo lidhje përveç që është një spekulim i pabazuar nga z.Matoshi, njëkohësisht është dashakeqe, duke ditur që Lëvizja çdo herë aksionet e aktivitetet e veta i ka publike dhe i shoqëron me komunikatë, foto e video (siç ishte rasti te rrotullimi i maunes me mallra serbe, aksion që erdhi pas ndalimit të librave shqip për shkollat në Luginë”, ka thënë ai.
Sot në orët e hershme të mëngjesit, një veturë që sipas Ismet Beqirit është pronë e LDK-së është djegur afër banesës ku ai jeton. Beqiri ka thënë se vetura e tij është djegur me koktej molotovi.
Kjo është vetura e tretë e zyrtarëve shtetërore që digjet në javët e fundit. Fatin e njëjtë si vetura e Beqiti e ka pasur edhe ajo e Memli Krasniqit, Adem Grabovcit dhe Bajram Gecajt.
Më herët gjatë ditës, edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dënuar këtë sulm./Insajderi.com