
I lindur në Galicia në vitin 2008 dhe i rritur në të njëjtën shkollë futbolli që ka nxjerrë emra të mëdhenj si Thiago Alcantara, Rafinha dhe Rodrigo Moreno, tani Pedro Fernandez është një tjetër perlë e akademisë La Masia, që tashmë po tërheq vëmendjen e gjithë Barcelonës.
Bir i një babai spanjoll dhe një nëne filipinase, Pedro u njoh me futbollin që në moshën katërvjeçare. Megjithatë, fillimi i tij nuk ishte aspak i lehtë. Trajneri i parë, Javier Lago, kujton: “Kur mbërriti në kamp, ishte shumë i vogël dhe as që donte të stërvitej. Ajo ditë përfundoi me lot, u largua me nënën e tij, por u kthye më vonë. E gjitha ishte falë këmbënguljes së nënës së tij, Ella. Dhe sapo hyri sërish në fushë, dy prekje të topit mjaftuan për të kuptuar se kishte diçka të veçantë tek ai”.
Nga Galicia në La Masia
Hapat e parë i hodhi te Val Minor, aty ku shpejt u bë një nga talentet më premtues. Në vitin 2022, kur ishte ende vetëm 14 vjeç, për të nisën të interesoheshin gjigantët.
Real Madridi u përpoq ta siguronte, Real Betis gjithashtu doli përpara, por në fund ishte Barcelona ajo që fitoi garën. Brenda dy vitesh, ai tashmë ishte në ekipin Juvenil, vetëm një hap larg skuadrës së parë.
Antón Dávila, trajneri i tij i parë te Barça, kujton mirë ndikimin e “Dros”, që në stërvitjen e parë, duke kaluar me lehtësi lojtarët.
“E hodha në fushë kundër lojtarëve dy vjet më të mëdhenj, por ai i befasoi të gjithë. Kishte gjithmonë një mbrojtës të fortë mbi shpinë, por e kalonte si të donte: me thembër, me kthim nga anash, me këmbën e djathtë apo të majtën. Ishte burim i pashtershëm frustrimi për kundërshtarët”, deklaroi ai.
Një talent i madh, por me karakter të brishtë
Megjithëse talenti nuk vihej në dyshim, personaliteti i tij duhej të piqej. Ish-trajnerët tregojnë se shpesh i mungonte stabiliteti emocional.
Për shembull, penalltitë ishin një sfidë më vete: “Në fillim e kishte shumë të vështirë. Humbiste disa, pastaj nuk pranonte më të gjuante. Ne e shtynim dhe e mbështesnim, por e vuante shumë”, kujton André, një nga trajnerët që ka punuar me të.
Si lindi “Dro”
Nofka “Dro” u krijua natyrshëm. Në fushat e Galicias, ai luante gjithmonë me shokun e ngushtë Pedro Villar. Për të dalluar dy “Pedrot”, njëri mori emrin “Villi” dhe Fernández u bë “Dro”.
Emri i thjeshtë mbeti dhe sot përdoret nga të gjithë në dhomat e zhveshjes së Barcelonës.
Krahasimet me Alcantaran
Pikërisht origjina e tij gjysmë-filipinase ngjalli kujtimet për legjendën e vjetër Paulino Alcantara, i cili veshi fanellën e Barcelonës nga 1912 deri më 1927 dhe shënoi plot 395 gola.
Krahasimi është më shumë simbolik se teknik: Alcántara ishte sulmues i lindur, ndërsa Fernández është mesfushor, por të dy ndajnë rrënjë të ngjashme kulturore dhe një lidhje të veçantë me klubin katalanas.
Çfarë lojtari është “Dro” Fernandez?
Ai është kryesisht një mesfushor i djathtë, por mund të luajë edhe si mesfushor ofensiv pas sulmuesit qendror. Është një lojtar shumë fleksibël, që lëviz mes vijave dhe arrin të gjejë hapësira me inteligjencë.
Forca e tij kryesore është shikimi i lojës dhe kontrolli i ngushtë i topit. Nuk bazohet vetëm në shpejtësi të pastër, por kombinon trupin, hapat dhe manovrat me topin në mënyrë shumë natyrale. Për këtë arsye, mënyra e tij e lojës kujton disi Andrés Iniestan – një krahasim i madh për një adoleshent, por që tregon potencialin që sheh Barça tek ai.
Debutimi i madh
Verën e kaluar, gjatë turneut përgatitor, ai shënoi gol vetëm pas nëntë minutash në miqësoren ndaj Vissel Kobe. Ishte një ogur i mirë për një djalosh që mezi priste mundësinë.
Dhe ajo erdhi shpejt: debutimi në La Liga si titullar kundër Real Sociedad. Statistikat e tij ishin mbresëlënëse për një lojtar vetëm 16-vjeçar:
92% pasime të sakta (24 nga 26)
3 tentativa driblimi, dy të suksesshme
5 duele të fituara në tokë
1 duel ajror i fituar
1 pasim kyç
Një paraqitje që jo vetëm dëshmoi talentin e tij, por edhe e prezantoi me forcë si një nga zbulimet më të reja të akademisë Blaugrana.