×
  • Lajme
  • Analiza

    Drogë, kërcënim me heqje koke- Si morën vëmendje njerëzit e AAK’së në Prizren?

    Insajderi
    05 September 2023 - 20:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkodran Pulaj dhe Lulzim Kabashi, të dy ish-funksionarë, ia dhanë namin për të keq Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës në Prizren. Pulaj, i cili ishte kandidat për asamble nga radhët e kësaj partie, u arrestua nën dyshimin për substanca narkotike, ndërkaq Kabashi kanosi stafin e mediumit lokal ‘RTV Besa’ për publikimin e lajmit për Pulajn.

    Përgjatë një aksioni të djeshëm të Antidrogës në Prizren, u arrestuan katër persona të dyshuar të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike. Në mesin e tyre ishte edhe Shkodran Pulaj, ish-funksionar i AAK-së në këtë komunë, raporton Gazeta Insajderi.

    Policia përgjatë këtij aksioni sekuestroi një sasi të substancave narkotike, si dhe armë e municion.

    Për Pulajn, mediat raportuan se ishte person i paprekur nga organet e rendit.

    Arrestimi i Pulajt, i cili mori vëmendjen e mediave me mbulim nacional, u raportua edhe nga televizioni lokal në Prizren ‘RTV Besa’.

    Për këtë raportim, ish-kryetari i AAK-së, Lulzim Kabashi, i “përvjeli” duart që ta mbronte ish-bashkëpartiakun e tij. Kësisoj, Kabashi kërcënoi stafin e televizionit lokal.

    Lidhur me këtë përgjatë ditës ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke i bërë thirrje Policisë së Kosovës ta trajtojë rastin me prioritet.

    “Sipas një njoftimi drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, redaksia e këtij mediumi ka thënë se “Ish kryetari i AAK-së në Prizren Lulzim Kabashi ka “bastisur” dje pasdite zyret e RTV Besa ku duke u kanosur dhe kërcënuar mediumin lokal RTV Besa. Ai ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit.”“, thuhet në njoftimin e AGK-së.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e ‘RTV Besa’, Muhamet Fusha, i cili ka treguar për veprimet banditeske të Kabashit.

    “Zotëriu në fjalë ka shiku me hy brenda në televizion, dera ka qenë mbyllë. E ka gjete një hyrje nga lokali që është i vëllait, ka hyrë nga aty dhe ka shkuar naltë tek punëtorët për një lajm që e kemi publiku. Ai lajm është publikuar nga të gjitha mediumet. Ka thënë ku është drejtori, ka kërkuar edhe stafin të tjerë, veç dy punëtorë kanë qenë. Ka fillu me shamje me kërcënime që s’përdoren… Ka thënë “Do të vras e do t’ju mbys, do t’ju prej kokat, pse e keni postu?””, ka bërë të ditur ai për Insajderin.

    Fusha ka bërë të ditur se Kabashi ka shkuar në redaksinë e ‘RTV Besa’ edhe pas dy orësh.

    “Personi ka ardhë edhe pas dy orësh, ora katër ka qenë, me një fjalor shumë kërcënues dhe ka bërtit. Pas 10 minutave ka dalë dhe më ka thënë se le të më kontaktojë edhe drejtori. Nja një ditë s’kanë mujtë me e zënë, nuk ia hapte telefonin policisë. Unë u interesova edhe një herë, i pyeta policinë se a ka ndonjë gjë dhe më thanë jo, s’po mundemi me u qasë. Punëtorët ishin frikësu shumë”, tha ndër të tjera drejtori i mediumit.

    Insajderi ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit nëpërmjet telefonit për ta pyetur nëse është arrestuar ish-kryetari i AAK-së, por i njëjti ka qenë i paqasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

    Përgjatë ditës së djeshme, dega e AAK-së në Prizren është distancuar nga Pulaj, duke thënë se ky i fundit nuk është më pjesë e asnjë strukture dhe se AAK-ja atje ka bërë reforma rrënjësore.

    “Njëri nga ta është personi që mediat sot e paskan lidhur me aleancën,andaj me përgjegjësi të plotë u drejtohemi qytetarëve të Prizrenit që Shkodran Pulaj nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë strukture apo forumi të aleancës në Prizren që nga themelimi i kryesisë, këshillit drejtues dhe nëndegëve”, u tha ndër të tjera në reagimin e degës. /Insajderi.org/

    Ramush Haradinaj, Shkodran Pulaj dhe Lulzim Kabashi më 2019-ën:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark