
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka deklaruar se nuk ka konstatuar asnjë shkelje të hapësirës ajrore nga ndonjë dron serb.
Në reagimin e tyre, KFOR-i thekson se e monitoron vazhdimisht hapësirën ajrore të Kosovës duke përdorur të gjitha mjetet dhe kapacitetet që ka në dispozicion, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së plotë të territorit ajror.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv.
“Është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër Vijës Kufitare Administrative, të koordinohen në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.
Ndërkaq drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot para mediave tha se është shkelur hapësira ajrore e Kosovës nga dronë që dyshojnë se janë futur nga Serbia. Një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.