Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar sot Çelësin e Qytetit këngëtares së njohur Dua Lipa.
Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj i ka shprehur mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i ka dorëzuar asaj një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit, njofton televizioni shqiptar Top Channel.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihej shumë i lumtur që i dorëzonte Çelësin një vajze që frymëzon shumë njerëz.
“Tani Prishtina dhe Tirana janë një, kështu që nuk je veç gocë e Prishtinës dhe e Kosovës, je edhe e Shqipërisë dhe e Tiranës. Unë jam shumë i lumtur për ty dhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dua që ta ruash Çelësin dhe të kthehesh sërish këtu, teksa shkëlqen e bëhesh më e famshme, duke frymëzuar shumë njerëz”, tha Veliaj.
Dua Lipa ka mbajtur mbrëmë një koncert në Prishtinë, ndërsa sonte performon në sheshin Nënë Tereza në Tiranë.
Ajo tha se është privilegj që të vij në Tiranë. “Dua të theksoj se ndjej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe ju falënderoj shumë për këtë mundësi që të jem me të gjithë shqiptarët”, u shpreh ajo./Insajderi.com