Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka komentuar deklaratën e homologut të tij në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se Serbia është më afër NATO-s se Kosova.
Ambasadori Hovenier tha se dëshiron që të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime të kësaj natyre.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj…Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë, dhe dua të kundërshtojë ata që duan të bëjnë krahasime”, tha përfaqësuesi diplomatik amerikan në Kosovë.
“Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur, dhe ne presim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s”, u shpreh tutje ai.
Mbrëmë në një intervistë për televizionin publik serb, medium i afërt me Vuçiqin, ambasadori Hill tha se Serbia është më afër NATO’s sesa Kosova.
“E dini, në fakt, nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin po. Kjo tani është shumë e vërtetë. Pra, ju sigurisht e dini se ne punojmë çdo ditë me ushtrinë serbe. Ne kishim stërvitje, kishim një sërë gjërash me ushtrinë serbe”, deklaroi ai. /Insajderi.org/