×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Duan ta shesin për 1€ arin”, avokati denoncon AKP-në, Gjykatën e Komunën për tokën e vlefshme në Fushë Kosovë

    Insajderi
    12 April 2024 - 15:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Është një copë toke mbi një hektar. I takon ndërmarrjes shoqërore “Slloga”. Para luftës ishte e destinuar për ndërtim, por dikush e shndërroi në tokë bujqësore. “Po duan që ta privatizojnë për një euro arin…e pastaj dikush ta shet 100 mijë një ari”, denoncon publikisht avokati që i përfaqëson ish-punëtorët e kësaj ndërmarrje. Insajderi sjell detaje nga zhvillimet për këtë ndërmarrje që sipas avokatit në këtë rast janë të përfshirë AKP-ja, Gjykata e Komuna e Fushë Kosovës.

    Ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP), Blerim Rexha tri vite më parë ishte bërë lajm nacional me një deklaratë.

    “Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, pati deklaruar ai parak një komisioni hetimor të Kuvendit të Kosovës për privatizimet.

    “Historia mund të përsëritet”, druan avokati Vehbi Halili i cili përfaqëson ish-punëtorët e ndërmarrjes shoqëror “Slloga”, me të cilët ka nisur një betejë ligjore, siç thotë ai, për të parandaluar një veprim të ngjashëm të AKP-së.

    Toka për të cilën ai dhe ish-punonjësit e “Sllogës” po shtyhen nëpër gjykata me AKP-në gjendet në Fushë Kosovë, afër ndërtesës së kësaj komune.

    Është një copë toke prej një hektarë e tetëmbëdhjetë ari. Siç thotë ai, tash iu ka mbetur vetëm përdorimi i atyre që quhen mjete të jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme, që të mos lejohet që edhe kjo tokë të shitet lirë.

    Nga tokë ndërtimore, në bujqësore – kush e bëri ndryshimin?

    “Po duanë që ta shesin me një euro arin. Ndoshta edhe dy euro. Diçka që e kemi parë edhe më herët dhe pse gjykata po kërkon të provohet kjo, tashmë ky është fakt i njohur”, thotë avokati i ish-punonjësve të “Slloga”, Vehbi Halili në një prononcim për Gazetën Insajderi.

    Ai ka treguar se kur u autorizua nga ish-punonjësit e kësaj ndërmarrje që të mbronte pronë e saj në Fushë Kosovë, gjeti që para luftës së fundit të vitit 1999, kjo tokë ishte e destinuar si tokë ndërtimore- që rrjedhimisht ia shton vlerën.

    “Por, dikush pas luftës e ndryshoi, dhe e regjistroi si tokë bujqësore. Kjo po bëhet që të shitet shumë lire, dhe fill pasi që të shitet, personi, ose personat që e privatizojnë pastaj, do të bëjnë kërkesë për ndërrim të destinimit”, thotë ai dhe sqaron se çka ndryshon këtu.

    Sipas tij, derisa AKP=ja mund ta shesh si tokë bujqësore, shumë lirë, po sa të shndërrohet në tokë ndërtimore nga personi që e privatizon, shumë-fishohet vlera.

    “Nëse dikush e blen me një apo dy euro arin, momentin që ndryshohet në tokë ndërtimore, për çka veç ka qenë e destinuar më herët, pastaj varësisht nga tregu, por mund të arrij edhe në 100 mijë euro ari”, thotë ai.

    Avokati Halili thotë se bashkë me punëtorët ka vite që tentojnë që ta parandalojnë këtë, dhe hedh akuza publike kundër tri institucioneve, së paku.

    “Kemi biseduar me AKP. Kemi biseduar me Komunën e Fushë Kosovës. Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme në dy shkallë na u refuzua kërkesa për masë të përkohshme. Duket sikurse janë bashkë në këtë tendencë për ta shitur lirë këtë pronë”, thotë ai për Insajderin.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur edhe AKP-në për këtë pronë, dhe dyshimet që kas ngritur avokati i ish-punonjësve të N.Sh. “Slloga”, por ata thonë se toka vazhdimisht ka qenë bujqësore.

    “Fillimisht duhet ditur se prona në fjalë respektivisht ngastrat kadastrale të cilave ju referohen ish punëtorët e ndërmarrjes të përfaqësuar nga z. Vehbi Halili, nuk kanë pësuar ndryshime sipas shënimeve që AKP ka në dispozicion dhe sipas qëndrimeve të Drejtorisë kadastrale në Fushë Kosovë. Ngastrat kadastrale në fjalë kanë kulturën e njëjtë në certifikatën pronësore të vitit 2023 sikurse e kanë pasur edhe në vitin 1987”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Insajderin.

    Në këtë agjenci, nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë as së kur kjo pronë, që sipas avokatit po tentohet që të shitet lirë, do të dalë në shitje.

    “AKP është në proces të kategorizimit të aseteve në raport me Fondin me Sovran i cili do të marrë në menaxhim një numër të konsiderueshëm të aseteve të AKP-së. Asetet që do të mbeten me AKP-në, do të shiten”, thonë në përgjigjen e tyre dhënë Insajderit, pa përmendur kohë.

    Avokati i ka thënë Insajderit, se kur një herë dolën në terren me përfaqësuesit e AKP-së, një person ishte afruar për të ngritur pretendime se toka në fakt është e tija, por nuk i kujtohet emri.

    Në AKP thonë që deri tash njohuri në lidhje me ndonjë person specifik, por që pretendimet e tilla prapë duhet të trajtohen në Dhomën e Posacme të Gjykatës Supreme që merret ekskluzivisht me lëndët e AKP-së.

    “Është fakt se në këto ngastra kadastrale të KB Slloga ka shtëpi apo ndërtime të banueshme, të cilat do të trajtohen rast pas rasti, varësisht nga gjendja faktike në teren dhe dokumentacioni i prezantuar. Ne nuk kemi njohuri, respektivisht informata lidhur me pretendimet e personit….. Të gjitha pretendimet pronësore që ndërlidhen me pronat shoqërore nën administrimin e AKP-së, duhet adresuar tek Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”, thuhet në përgjigje e AKP-së, dhe bëjnë me dije se deri tash nuk ka ndryshime në pronësi pasi që sipas tyre  “Ndërmarrja bashkë me asetet e saj administrohet nga AKP-ja”.

    Insajderi i ka mbajtur të informuar në komunikim me AKP-në edhe zyrtarët e Komunës së Fushë Kosovës, por të njëjti deri tash nuk kanë komentuar.

    Pretendimet që i refuzoi Dhoma e Posaçme

    Avokati Vehbi Halili ka kërkuar nga dy shkallët e Dhomës së Posaçme të Supremes për ti venë masë të përkohshme që të mos shitet toka prej një hektari e tetëdhjetë ari në Fushë Kosovë që të mos shitet.

    Të mos shitet , siç thotë ai lirë, derisa të lejohet që të dëshmohet se ajo është tokë ndërtimore, dhe jo bujqësore.

    Të dyja shkallët e kanë refuzuar këtë kërkesë. Ai planifikon që tash të i drejtohet Supremes me atë që quhet mjete të jashtëzakonshme.

    Por, çka pretendon ai në rastet që ka ngritur në Gjykatë?

    Me datë 6 shtator 2023, në Dhomën e Posaçme u deponua një propozim për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit lidhur me ndalesën dhe shitjen e pasurisë së patundshme nga neni 297, 306 lidhur me nenin 304 të LPK-së.

    “Në këtë propozim theksohet se asetet e ndërmarrjes “Slloga” në Fushë Kosovë janë definuar për shitje si tokë bujqësore nga AKP, vendim ky i cili është në kundërshtim me provat materiale, të cilat i posedojnë punëtorët e kësaj ndërmarrje p.sh., nga vendimi i ashtuquajturit (iratit) d.m.th. tokës nga Komuna e Prishtinës në OSH “Slloga”, në Fushë Kosovë, i datës 1 gusht 1989 e regjistruar me datë 17 nëntor 1989, Akti i quajtur “Spisak Promena” për vitet 1989-1996, Komuna Kadastrale në Fushë Kosovë, vendimi nr. 452 dhe shenja 16369/21 i datës 15 shkurt 2012 në të cilin vendim shihet se të gjitha parcelat e O.SH “Slloga” në Fushë Kosovë janë toka ndërtimore si dhe libri nga arkivi i vitit 1966”, thuhet në padi.

    Këto parcela të cilat tashmë i disponon AKP, sipas padisë  “pas lufte ishin regjistruar si toka bujqësore e jo siç kanë qenë toka ndërtimore në bazë të provave të i posedonte Agjencioni Kadastral i Fushë Kosovës, e një pjesë e konsiderueshme i mban të uzurpuara Komuna e Fushë Kosovës e qëllimi i tyre dhe i AKP-së është ndërrimi i destinacionit nga toka ndërtimore në tokë bujqësore, pra shitja si tokë bujqësore”.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark